Drejtuesi politik i PD për Fierin, Gazment Bardhi, ka zhvilluar një takim me mësuesit, ku ka diskutuar për disa nga problemet më të rënda që po përballet arsimi shqiptar.
Bardhi shkruan në një postim në Facebook, se arsimit i nevojiten reforma të thella dhe transformime, duke shtuar se për Partinë Demokratike arsimi është një prioritet kombëtar. Bardhi paraqiti një plan ambicioz për ta kthyer shkollën në një vend të sigurt, modern dhe me cilësi, duke nisur me investime në infrastrukturë dhe mbështetje të mësuesve përmes rritjes së pagave.
Postimi i Gazment Bardhit
Bashkë me Silvën diskutuam me mësuesit për problemet e rënda të arsimit, që nga politizimi i shkollave, rënia e cilësisë në arsim për shkak të mosfunksionimit të meritokracisë, mungesa e investimeve domethënëse dhe deri tek plaga më e madhe, rënia e numrit të nxënësve dhe mbyllja e shkollave.
Mësuesit e ndiejnë më shumë nga të gjithë se arsimi ka lëshuar alarmin SOS, por shkaktarja e kësaj fatkeqësie kombëtare, qeveria e PS, nuk reagon. Arsimit i duhen reforma dhe transformim!
Për PD arsimi është prioritet kombëtar! Shkollat si vendi më i sigurtë dhe më modern për fëmijët dhe të rinjtë janë angazhimi ynë madhor. Investimet në infrastrukturën shkollore, heqja e burokracive që po i nxin jetën mësuesve, mbështetja e mësuesve me rritjen e pagave janë hapa thelbësorë për rritjen e cilësisë në arsim. Rritja e pagës mesatare mujore 1300 euro për mësuesit dhe 2000 euro për pedagogët do të frenojnë largimin e më të mirëve dhe do të rrisin cilësinë e mësimdhënies.
Duke punuar së bashku me mësues që duan vendin dhe fëmijët përpara partisë, ne do të sigurojmë një të ardhme më të mirë!