Kryetari i PD, Sali Berisha e cilësoi kodin e ri penal si një “dorë të zezë” mbi veprimtarinë ekonomike të qytetarëve dhe si një mbrojtje për zyrtarët e korruptuar. Ai kritikon ashpër ndryshimet që shpërndajnë imunitet për zyrtarët dhe bëjnë më të lehtë shpërdorimin e detyrës.
Sipas Berishës, kodi penal krijon mundësinë për të terrorizuar qytetarët dhe bizneset, duke sjellë dënime të rënda për shkelje të vogla, ndërkohë që mbron ata që vjedhin fonde publike.
“Të sjellësh një kod, dhe shikoni djallëzinë, në mënyrë që të miklojë, të sigurojë kund ndonjë mbështetje, po vodhe paratë e BE, dënohesh një të tretën më shumë.
E keni parë ju këtë apo jo?
Po vodhe 1 milion, dënohesh një vit, po të jenë fondet e BE, dënohesh një vit e tre muaj.
Në këtë mënyrë mendon se do hutojë apo do sigurojë mbështetje për një kod të turpshëm që ia ka lakmi edhe Maduro i Venezuelës. Por kodi është një dorë e zezë mbi veprimtarinë ekonomike të qytetarit.
Ju nuk mund të imagjinoni, ju lutem keni durim se materiali është pak i gjerë.
Shpërdorimi i detyrës është thjeshtuar shumë për zyrtarët. Nuk ka tani, zyrtarët janë pothuajse me imunitet.
Gazetarët në satër. Fjala e lirë në satër. Po qe se mjetet e komunikimit bëjnë ndonjë sulm apo japin lajme për ndonjë sulm ndaj institucioneve dhe gjykatës, i pret neni 536. Neni ndikimi mbi pavarësinë e gjykatës. Pavarësinë e Dumanit dhe të Irena Gjokës dhe të Fetahut.
Tani, mospërmbushja e qëllimit të kontratës. Pra kanë futur një nen në kundërshtim me Kushtetutën.
Kushtetuta thotë në nenin 23/3, askujt nuk mund t’i hiqet liria për shkak se nuk është në gjendje të përmbushë një detyrim kontraktor.
Kurse këta, mospërmbushja e qëllimit ët kontratës, detyrimit po e po, të dënojnë me vite të tëra burg.
Pra, është pikërisht ajo që të shndërrosh në terror shërbimet shtetërore ndaj qytetarëve, të shndërrosh ligjin në satër mbi qafën e tyre, vetëm e vetëm se si t’i terrorizosh ata.
Po është një nen tjetër shumë interesant. Neni 633, konkurrenca e pandershme.
Në pamje të parë, thua këta janë me të vërtetë të vendosur të mbrojnë konkurrencën. Shikoni se çfarë bëjnë.
Bërja e një oferte për të shitur ose blerë të njëjtat mallra ose për të ofruar të njëjtin shërbim, duke e ditur më parë se një tjetër person ka arritur një marrëvesje paraprake ose është duke lidhur një kontratë me të njëjtën shoqëri për të kryer veprimtari tregtare, dënohet me gjobë ose me burg gjer në 3 vjet.
Pra, dëgjojeni. Kjo vetëm me konkurrencën nuk ka lidhje.
Ky është krahu i mafies. Dëgjojeni çfarë thotë, kur subjekti A ka hyrë në marrëdhënie për të lidhur kontratë me subjektin B, dhe kur konkurrenti i B bën një ofertë më të mirë, për pasojë i imponon B kushte më të pafavorshme sepse ka një ofertë më të mirë ose ndërpret negociatat dhe lidh kontratë me C.
Po a ka gjë më normale se kjo?
Nëse vjen një tjetër dhe më sjell një ofertë më të favorshme, pa dyshim që do marr ofertën më të favorshme sepse kjo është konkurrenca.
Pra, siç e shihni, kodi i ri i Edi Ramës apo kodi Rama-Manja është kodi që mbron zyrtarët, qeveritarët.
Është kodi që shtrin satrin e ligjit mbi qytetarët.
Është kodi që tregon mëshirë ndaj atyre që më parë në të gjitha vendet merrnin dënimin me vdekje për veprat e tyre. Por ndëshkon qytetarin me burg se parkon gabimisht apo se shtyhet me policin, etj, etj.
Është kod fund e krye me parime mafioze të cilat kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit beson se do mund t’i maskojë me faktin e ka shtuar me një të tretën e dënimit për çdo vjedhje të fondeve evropiane apo donatorëve të tjerë.
Është dëshmi e vendosmërisë për të konsoliduar me ligje narkoshtetin e tij.
Është apel për qytetarët shqiptarë të ngrihen me të gjithë forcën për përmbytjen e këtij regjimi i cili mbahet mbi votën e vjedhur, kartelet e drogës dhe vjedhjen e pasurive të qytetarëve shqiptarë.
Nuk u ndala gjatë sepse ka shumë aspekte, janë kufizuar liria e protestës, por natyrisht një analizë më të plotë do bëjë departamenti i ligjeve pranë PD dhe do u paraqitet në kohë.
Sidoqoftë ky draft do hyjë në historinë e jurisprudencës shqiptare si një akt i turpshëm, një përpjekje e papërmbajtur për rikthimin e ligjeve të vjetra të ish-diktaturës komuniste, për vendosjen e bazave ligjore të forta të narkoshtetit ekzistues sot”, u shpreh Berisha.