Skandali/ Rama u grabit shqiptarëve bazën e Pashalimanit për t’ia dhuruar politikanit italian

Qeveria shqiptare ka vendosur t’i japë statusin e “investitorit strategjik” një biznesmeni italian, Dante Mazzitelli, për të ndërtuar një projekt gjigant turistik në mbi 25 hektarë tokë publike, në një nga zonat më të mbrojtura të Shqipërisë, gjirin e Vlorës, në kufi me bazën ushtarake të Pashalimanit.

Projekti “Pashaliman Laguna Eko Resort”, që do të zhvillohet në Shqipëri nga kompania “Meta Resorts Albania” synon të ndërtojë një resort turistik masiv mbi tokë publike të zonës së Pashalimanit, një zonë me mbrojtje ligjore të trefisht, (trashëgimi kulturore, zonë natyrore, territor ushtarak.

Ky vendim po hap debate në publik mbi konfliktin e interesit, transparencën dhe standardet e dyfishta të qeverisë për zhvillimin e pronës publike.

Le t’i marrim me radhë.

KONFLIKTI I INTERESIT

Pas biznesmenit italian Dante Mazzitelli dyshohet se qëndron ish -kryeministri italian Massimo D’Alema.

D’Alema është një prej miqve të ngushtë të kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili e

ka cilësuar politikanin italian si “mentor”. Rama thotë se marrëdhënia e tyre është kryesisht politike dhe jo biznesi, por ndërtimi në Pashaliman duket se po nxjerr në dritë interesa krejtësisht financiare.

Në janar 2023, në Shqipëri u regjistrua një kompani konsulence me emrin “A&I Albania”, që raportohet se lidhet me aktivitetet e Massimo D’Alema -s. Kjo kompani ka interesa në projekte ndërtimi në bregdetin shqiptar.

Kompania “A&I Albania” administrohet nga Majlinda Haloçi, e identifikuar si kontabiliste dhe administratore konsulence. Tani Haloçi rezulton si person kontakti për kompaninë e Dante Mazzitelli, me emrin “Meta Resorts Albania”.

Majlinda Haloçi duket se ka zënë pozicionin që mbante deri në vitin 2023 drejtoresha aktuale e AIDA (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve), Laura Plaku (Saro). “Sipas

ekstraktit të QKB, Meta Resorts Albania është asistuar nga Laura Plaku (Saro) dhe kompania e saj e konsulencës ligjore, PCG deri në nëntor të vitit 2023, kur emri i saj është hequr si person kontakti nga kompania e Mazzitellit” – raportoi BIRN.

MUNGESA E TRANSPARENCËS, CËNIM I SIGURISË KOMBËTARE 

Më 3 shkurt 2025, një pjesë e zonës prej 25 hektarësh ku parashikohet të shtrihet projekti “Pashaliman Laguna Eko Resort” u la jashtë Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së forcave të ushtrisë, përmes një dekreti të presidentit Bajram Begaj që mbahet “sekret”, – raportoi sot BIRN.

Kjo bazë i ishte ofruar NATO-s prej vitit 2019 nga Ministria e Mbrojtjes, një kërkesë që ëhtë përsëritur nga kryeministri Rama në 2022.

Tani, ish -kreu i Forcës Detare, Artur Meçollari, ngre shqetësimin se me reduktimin e bazës së Pashalimanit vetëm në 14 hektarë, pasi Begaj nxorri me një dekret sekret, (që mban numrin 24), nga Plani i Veprimit dhe Përhapjes të bazës detare 80 hektarë, kjo bazë nuk mund të përbëjë më interes për NATO -n.

Duke e vlerësuar Pashalimanin si bazën kryesore të Forcës Detare dhe një hapësirë strategjike për mbrojtjen e Shqipërisë, Meçollari i tha BIRN se ky vendim cënon sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet me NATO-n.

“Korrupsioni, – tha ai, – po cënon operacionalitetin e Forcës Detare dhe marrëdhënien me NATO-n”.
Presidenti Begaj ka qenë i lakuar për firmën e tij edhe për nxjerrjen nga Plani i Veprimit dhe Përhapjes të pronave të ushtrisë për t’i vënë në dispozicion të një tjetër projekti turistik, në një tjetër bazë detare në jug të vendit.

INVESTITORËT E HUAJ, TË NËNËS – SHQIPTARËT, TË NJERKËS

Dante Mazzitelli do ta marrë tokën shtetërore falas. Projekti i quajtur “Pashaliman Laguna Eko Resort” parashikon ndërtimin e strukturave akomoduese dhe të shërbimeve turistike.

Edhe përsa i përket projekti ka mungesë transparence. Zyrtarisht, ai paraqitet si një resort ekologjik me struktura akomoduese prej druri, të vendosura mbi platforma lundruese në lagunë, sipas projektit të studios italiane Archea Associati të arkitektit Marco Casamonti.

Por vendimi i qeverisë nuk sqaron qartë nëse ky është një hotel i hapur për publikun, apo nëse do të shndërrohet në vila dhe rezidenca private për t’iu shitur klientëve të huaj, një praktikë e njohur nga projektet e tjera të ngjashme në jug të Shqipërisë.

Marrëveshja nxjerr edhe njëherë në pah standardin e dyfishtë me të cilin qeveria Rama trajton pronën publike dhe investitorët vendas.

Sipërmarrësit shqiptarë, për të ndërtuar vila apo resorte, detyrohen ta blejnë tokën me çmime marramendësetë tregut. Ndërsa në rastin e biznesmenit kontrovers Mazzitelli, qeveria po jep falas një pasuri strategjike kombëtare, me arsyetimin se është “investim strategjik”.

Kjo mënyrë e trajtimit të ndryshëm të investitorëve shqiptarë dhe të huaj ngre një pyetje thelbësore: përse investitorët vendas detyrohen të blejnë tokën private ose shtetërore për të zhvilluar projekte të ngjashme, shpesh me procedura të gjata dhe kosto të larta,ndërsa investitorët e huaj, si në rastin e Mazzitellit, marrin tokë publike falas, madje edhe në zona me rëndësi strategjike për mbrojtjen e vendit.

Me të njëjtën mënyrë Rama i “fali” 800 mijë metër katrorë tokë biznesmenit arab Mohamet Alabbar në projektin “Durrës Yacht Marina”. Edhe pas këtij projekti, që parashikon ndërtimin e apartamenteve për shitje dhe të disa hoteleve, dyshohet se qëndron një tjetër mik i Edi Ramës, sheiku bin Zayed Al Nahyan, i Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili e ka vizituar Shqipërinë disa herë.

Veç të tjerash, ekspertët dhe aktivistët e mjedisit e konsiderojnë këtë projekt si rastin më ekstrem të shkeljes së ligjeve për trashëgiminë kulturore, zonat e mbrojtura dhe sigurinë kombëtare. Doriana Musai, arkitekte dhe planifikuese urbane, thotë se kjo është “një ndërhyrje unike në botë ku turizmi futet në tri zona të mbrojtura njëkohësisht, duke i aneksuar territorin dhe duke i dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme.” Taulant Bino, drejtues i AOS, paralajmëron se laguna e Pashalimanit rrezikon të kthehet në një zonë të urbanizuar me dëme të pamatshme për biodiversitetin.

KUSH ËSHTE DANTE MAZZITELLI 

Dante Mazzitelli, 70 vjeç, e ka vizituar disa herë Shqipërinë. I lindur në vitin 1955 dhe banues në Itali, ai është pronar i disa ndërmarrjeve në pjesën e jugut të Italisë, përfshirë kompaninë ndërtuese Construzioni Generali dhe pronar i televizionit lokal në Bari, TeleBari.

Në qershor 2021, ai themeloi në Shqipëri kompaninë Meta Resorts Albania, e cila ka marrë tashmë statusin “investitor strategjik” për projektin “Pashaliman Laguna Eko Resort”. Kompania është 100% në pronësi të tij.

Mazzitelli është përmendur në hetime në Itali për falimentim të qëllimshëm dhe procedura financiare të dyshimta që lidhen me zhvendosje asesh.

Kompania e tij, Construzioni Generali u përball së fundmi me një proces gjyqësor pas një hetimi të Prokurorisë së Barit që ngrinte dyshime për falimentim të qëllimshëm me zhvendosje asetesh. Akuzat u rrëzuan në korrik 2024 nga Gjykata e Bari-t, por kjo e fundit po ashtu e detyron kompaninë e Mazzitellit të garantojë financiarisht shlyerjen e borxheve ndaj palëve të treta, pas vendimit për ristrukturimin e borxheve.

Mazzitelli është lakuar nga mediat italiane për ndërtimet prej betoni në bregdetin e Amalfit, një proces gjyqësor lidhur me strehimin publik prej nga doli i pafajshëm si dhe për mikpritjen në vitin 2011 në hotelin e tij në Zvicër të ish-kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Italisë, Massimo D’Alema.

About Krye Redaktor

Check Also

PD: Asnjë urdhër për bojkotin e mitingut në mbështetje të UÇK-së! Kauza e saj është krenari kombëtare

Partia Demokratike nuk ka dhënë asnjë urdhër, verbal apo me shkrim, që përfaqësues apo mbështetës …