Berisha: Protesta do bëhet vetëm para kryeministrisë sepse aty i kanë zyrat Rama dhe Lubia

Kreu i PD, Sali Berisha deklaroi se protesta e radhës e opozitës do të zhvillohet vetëm para Kryeministrisë, pasi aty janë zyrat e Edi Ramës dhe të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Berisha theksoi se nuk bëhet fjalë për një protestë të veçantë kundër Ballukut, por për të denoncuar përgjegjësinë e dy drejtuesve më të lartë të qeverisë për abuzime dhe korrupsion, duke përfshirë edhe dosjen e tunelit të Llogarasë.
“Së pari, parlamenti i deputetëve dhe qytetarëve të opozitës nuk është thirrur para ministrisë së Lubi Ballukut, por është thirrur para kryeministrisë pikërisht për atë që ju thoni.
Nuk është një protestë e veçantë kundër Lubi Ballukut, që të garantoj që nuk ka hajdute më të madhe në tërë historinë e kombit shqiptar, përveç Edi Ramës, prandaj protesta do bëhet para kryeministrisë dhe vetëm para kryeministrisë.
Aty i kanë zyrat të dy ata, kryeministër dhe zëvendëskryeministër dhe unë kam kënaqësi që bëra këtë sqarim.
Nuk mund të ishte protesta para zyrave të Lubisë në ministri, jo, sepse ajo pakkush mund ta imagjinojë se sa shumë ka vjedhur, por Rama më shumë.
Rama shumë më tepër.
Dhe dosja e tunelit të Llogarasë që ju e shihni se çfarë dosje e turpshme në çdo aspekt është ajo, mos harroni se gjithçka ajo e ka bërë me kërkesë të Ramës, e urdhëruar nga Rama dhe e detyruar nga Rama.
Që nuk duhet ta bënte kurrë dhe ka përgjegjësi, por po aq edhe Rama.
Prandaj do jemi para kryeministrisë.
Ju pyesni për analizën. Po, analiza do fillojë.
E vonuar sepse në qoftë se e ke ndjekur zhvillimin si kurrë më parë, që nga përfundimi i zgjedhjeve dhe gjer në gusht vonë, ne çdo ditë jemi marrë me denoncimin e farsës elektorale jo me fjalë, por me fakte dhe dokumente.
Çdo ditë kemi komunikuar me partnerët, miqtë tanë kudo për realitetin e zgjedhjeve.
Çdo ditë kemi denoncuar përpjekjet e qeverisë për të ndryshuar raportin e organizatave ndërkombëtare për zgjedhjet.
Nuk mund të bënim analizë pa dalë raporti sepse Edi Rama me propagandën e tij do mashtronte çdo gjë për të lehtësuar pozicionin e tij.
Ka pasur presione të jashtëzakonshme mbi vëzhguesit, por dështoi në radhë të parë për shkak të karakterit të atyre burrave dhe grave që vëzhguan zgjedhjet.
Por edhe ne bëmë detyrën tonë që na takonte.
Kjo ishte arsye që u vonua sepse raporti u vonua shumë më tepër se sa parashikohej të dilte.
Doli raporti dhe të garantoj që fillon që javën që vjen analiza në parti.
Por përsëri kjo analizë duhet të bëhet e plotë me një kërkesë që kam ndaj çdo anëtari dhe mbështetësi.
Kjo analizë duhet të bëhet në përputhje me realitetin ekzistues sepse në qoftë se kjo bëhet duke pasur parasysh realitetet e shkuara, absolutisht nuk na shërben.
Përkundrazi.
Janë dy realitete.
Është një realitet tjetër ai kur OSBE/ODIHR deklaronte në vitin 2009 kur zgjedhjet plotësuan standardet ndërkombëtare dhe një analizë tjetër kur zgjedhjet u bënë një farsë, kur fusha ishte krejt e pabarabartë, kur krimi i organizuar ne disa qytete luajti rol shumë të rëndësishëm.
Pse na duhet kjo analizë e ndryshme?
Na duhet për të nxjerrë konkluzione të drejta se çfarë do bëjmë ne në këtë situatë.
Cila do jetë përgjigja jonë ndaj kësaj situate.
Dhe ju shtroni pyetjen. Jo, ne nuk e njohim parlamentin, por komisionin e reformës zgjedhore, ne do marrim pjesë sepse do adresojmë rekomandimet e atyre që paraqitën të vërtetën e zgjedhjeve në Shqipëri me një përgjegjësi dhe integritet të lartë”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

“Nuk është thirrje, është alarm”! PD fton qytetarët në protestë

Deputetja e PD, Albana Vokshi, ka zhvilluar takime me qytetarët e Tiranës, duke i ftuar …