Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako janë kallëzuar sot në SPAK pas situatës me përmbytjet në qytet.
Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Ilirjana Kuçana bëri të ditur se ka depozituar sot në SPAK një kallëzim penal ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryetares së Bashkisë Durrës, Emirjana Sako, si dhe ndaj institucioneve të tjera, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Sipas kallëzimit, i cili përfshin gjithashtu Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit Durrës, dyshohet se personat dhe institucionet e përfshira mund të kenë shpërdoruar fonde publike dhe detyra të tjera zyrtare, duke kontribuar në përkeqësimin e situatës së përmbytjeve në qytetin e Durrësit.
Kallëzimi thekson se hetimi mund të zbulojë edhe veprime të tjera penale të kryera në bashkëpunim nga personat dhe institucionet e përfshira. Dokumenti ligjor referon Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodin Penal dhe ligjet për vetëqeverisjen vendore dhe administrimin e ujitjes dhe të kullimit.Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, është kallëzuar sot në SPAK pas situatës me përmbytjet në qytet.
Në një prononcim për mediat para selisë së SPAK, Anëtarja e këshillit Kombëtra të PD, Ilirjana Kuçana, deklaroi se përmbytjet që kanë prekur mijëra banorë në Durrës dhe zonat përreth nuk janë “çështje e Zotit”, por pasojë e drejtpërdrejtë e keqqeverisjes. Ajo akuzoi kryeministrin Rama si përgjegjësin kryesor për situatën, dhe që duhet të mbajë përgjegjësi.
“Kemi të bëjmë me një narko-qeveri. Kemi rreth një vit që ju themi se këta janë një grup i strukturuar kriminal,” u shpreh Kuçana, duke paralajmëruar se së shpejti do të publikohen video kompromentuese. Sipas saj, materialet filmike do të ekspozojnë “koordinatorët e krimit” dhe përfaqësues të tyre në “pazare të drejtpërdrejta me Edi Ramën”.
“Ata nuk e kanë më hallin e qytetarëve. Fillimisht kishin hallin për të vjedhur paratë e shqiptarëve, tashmë kanë hallin t’i fshehin ato para, por nuk do t’i fshehin më,” shtoi ajo, duke iu referuar edhe vëmendjes së shtuar ndërkombëtare. Ajo përmendi qëndrimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka deklaruar se deri në fund të marsit Shqipëria do të shikohet me prioritet, duke shtuar se “cilido që mendon se ka vjedhur paratë e shqiptarëve dhe do të shpëtojë, e ka shumë gabim”.
E pyetur se pse i drejtohet sërish SPAK-ut, pas një kallëzimi të mëparshëm që u shpall moskompetencë, Kuçana theksoi se këtë herë ka besim se institucioni do të veprojë me intensitetin e duhur. Ajo i bëri thirrje SPAK-ut të kryejë detyrën, pasi “shqiptarët ndihen të vjedhur, të braktisur dhe pa shpresë”.
Gazeta RD