Berisha deklaroi se shqiptarët paguajnë naftën me rreth 2300 lekë, ndërsa sipas tij miliarderët për furnizimin e jahteve e marrin me 500 lekë për litër. Ai e lidhi këtë situatë me politikat fiskale të qeverisë dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se favorizon luksin.
Berisha: Në një kohë kur Edi Rama vazhdon llafollogjinë e tij të pafundme dhe nuk thotë asnjë fjalë për problemet e panumërta të qytetarëve shqiptarë, nafta ka arritur në Shqipëri 2300 lekë, ndërkohë që në bursë është gjithsej 85-90 dollarë.
Por rikujtoj shqiptarët këtu se me 11 korrik të vitit 2008, është një datë e veçantë, është data në të cilën nafta në bursa ka pasur çmimin më të lartë të 20 viteve të fundit.
Ajo arriti në 147 dollarë nafta bruto në bursa.
Në Shqipëri ajo shitej me 1600 lekë. Domethënë shitej 30 e ca përqind më lirë se sa shitet sot, kur në bursë kushton gjithsej 85 dollarë.
E gjitha kjo për një akt kriminal të qeverisë, e cila taton naftën dy herë më shumë se Maqedonia, se Kosova dhe se shumica e vendeve të tjera në botë.
Por në qoftë se vendet e tjera, për naftën e kompensojnë atë të paktën nga 50 gjer në 100 përqind të saj për bujqësinë, në Shqipëri naftën e marrin me 500 lek litrin vetëm miliarderët dhe nuk ka injorim, cinizëm më të rëndë se ky.
Fermerëve shqiptarë ua shet naftën me 2300 lekë, miliarderëve që vijnë dhe mbushin jahtet e tyre në Durrës me nga 1 milion litra, ua shet naftën me 500 lekë sepse sulltani i Surrelit është pushtuar nga një pasion i çmendur pas luksit. Ka fetishin e luksit dhe elitës së luksit, paçka se qytetarët i ka më të varfrit në Evropë.
Se qytetarëve u shet me çmimet më të larta në Evropë naftën.
Se taksat që i vë naftës janë ndër më të lartat në botë. Dhe kjo është vetëm njëra.
Janë pra një mori e pafundme problemesh për të cilat ai nuk thotë një fjalë të vetme në llogollogjinë e tij të pafundme.
Gazeta RD