Shqipëria po përballet me një ditë të vështirë për shkak të zjarreve të shumta që kanë përfshirë disa qarqe të vendit.
Raportohet për 9 vatra aktive, ndërsa mbi 450 forca operacionale janë angazhuar në terren, të mbështetura nga 5 mjete ajrore.
Në Tiranë, flakët janë përhapur në kodrën mes Priskës dhe Farkës, ku zjarrfikësit po ndërhyjnë edhe nga ajri me helikopter.
Për momentin nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për banesat. Në Dajt, operacioni vijon mbi tunelet e Qafë-Mollës me forca në terren dhe dy helikopterë.
Në Patos, vatra e Drenies vijon të jetë aktive, ndërsa në Krujë janë evidentuar disa vatra të reja.
Në lagjen Boje, zjarrfikësit janë pozicionuar pranë banesave, ndërsa një helikopter po ndërhyn nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve.
Situata mbetet e rënduar edhe në jug të vendit. Në Përmet, zjarri ka përfshirë malin e Nëmerçkës dhe malin e Dhëmbelit, duke rrezikuar sipërfaqe të gjera pyjore.
Ndërkohë, në Devoll, vatra në malin e Moravës është izoluar dhe po mbahet nën monitorim për të shmangur riaktivizimin.
Gazeta RD