Me thirrjet “Lironi qyetarët, arrestoni Ramën”, protestuesit janë zhvendosur përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pas arrestimeve të qytetarëve përpara Kryeministrisë.
Qytetarët janë zhvendosur nga tubimi përpara godinës së qeverisë te Policia e Tiranës, ku kërkojnë lirimin e protestuesve.
Më herët pati momente kaotike dhe përplasje fizike mbrëmjen e kësaj të mërkure përpara Kryeministrisë, ku protestuesit janë përballur me ndërhyrjen e forcave të policisë, ndërsa disa vajza kanë përfunduar në ambulancë pas përdorimit të sprajit me piper nga ana e efektivëve.
Tensionet janë përshkallëzuar në momentin kur një grup vajzash, të ndihmuar nga djemtë kanë krijuar një “gardh” njerëzor përpara furgonit të policisë, duke tentuar të pengojnë largimin e tij dhe shoqërimin e dy protestuesve, Edison Lika dhe Dritan Goxhaj.
Pavarësisht pranisë së qytetarëve përpara automjetit, furgoni ka vijuar lëvizjen, duke i shtyrë protestuesit që ndodheshin në rrugën e tij.
“Kriminelë!”, kanë qenë thirrjet e qytetarëve, të cilët kanë kundërshtuar veprimet e efektivëve.
Situata është tensionuar më tej, duke sjellë përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të rendit. Gjatë ndërhyrjes, efektivët kanë përdorur edhe spraj me piper, i cili ka shkaktuar shqetësime te disa prej pjesëmarrësve në tubim.
Disa vajza janë ndier keq si pasojë e ekspozimit ndaj sprajit dhe janë marrë nga shërbimi i ambulancës për të marrë ndihmë mjekësore.
Përplasjet vijnë pas shoqërimit të Edison Likës dhe Dritan Goxhajt, të cilët, sipas informacioneve paraprake, refuzuan të merrnin fletët e gjobave të vendosura nga policia.
Në zonën përpara Kryeministrisë mbërritën edhe forcat “Shqiponja”, ndërsa ndërhyrja e policisë dhe përdorimi i sprajit me piper kanë shkaktuar tensione të vazhdueshme gjatë protestës.
Studentët dhe qytetarët ndodheshin prej disa orësh përpara godinës së qeverisë, ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me përplasjet, përdorimin e sprajit me piper dhe incidentin me furgonin e policisë.
Gazeta RD