Nga Bujar Leskaj
Votoj kundër projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 58/2022 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore” , për shumë arsye, ndër të cilat, më kryesoret janë:
Ligji për parqet teknologjike dhe shkencore: strehë abuzimesh dhe korrupsioni galopant!
Ligji i vitit 2022 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore” u paraqit me pompë e bujë nga sekti Rama katër vite më parë, si një instrument për të nxitur inovacionin, investimet në teknologji, bashkëpunimin mes universiteteve dhe biznesin, si dhe për të tërhequr investitorë të huaj në sektorë me vlerë të shtuar.
Në të vërtetë, zbatimi praktik i këtij ligji u shoqërua me keqpërdorime të shumta, favorizime, mungesë transparence dhe korrupsion galopant. Në vend që parqet teknologjike të funksiononin si qendra kërkimi, inovacioni dhe zhvillimi industrial, ato u përdorën si mekanizëm për favorizimin e kompanive të lidhura politikisht me sektin në qeverisje dhe përfitimin e përjashtimeve fiskale pa investime reale.
Me dhjetra e dhjetra kompani pranë Ramës dhe sektit të tij, që nuk plotësonin asnjë kusht për të qenë investime inovative, panë se si me mbrojtjen e këtij ligji, pagat e punonjësve të tyre u përjashtuan nga të gjitha taksat për 10 vite, se si shteti ju pagoi trajnimin e punonjësve dhe se si kontributet për sigurimet shoqërore ju paguan në nivelin e pagës minimale! Se si gëzonin pa asnjë arsye regjimin fiskal që të gjitha mallrat, pajisjet dhe shërbimet ju përjashtoheshin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar(TVSH), nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe nga taksat për pasuritë e paluajtshme. Kjo ishte dhe është për katër vite tashmë kryevjedhja teknologjike e Ramës.
Ligji u dha subjekteve favorite të sektit, gjoja kompani të parqeve teknologjike, lehtësi fiskale si (i) përjashtim ose ulje të tatim-fitimit, (ii) përjashtim nga TVSH për pajisje dhe makineri, (iii) lehtësi për importet, (iv) përjashtim nga taksat vendore dhe (v) tarifa të reduktuara për shërbime publike.
Në mungesë të kontrollit rigoroz, këto lehtësi u përdoren në mënyrë abuzive, pasi kompani të regjistruara formalisht si pjesë e një parku teknologjik, në realitet ushtronin veprimtari të zakonshme tregtare. Kompani ndërtimi ose shërbimesh regjistroheshin fiktivisht si “teknologjike”, ndërsa subjekte të lidhura me njëra-tjetrën transferonin fitimet për të shmangur taksat.
Sot, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 58/2022 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, me amendimet e paraqitura, parashikon një fazë virtuale të funksionimit të parkut, në një kohë dhënia e lehtësive fiskale për regjistrim virtual është një praktikë që Bashkimi Evropian e ndalon, madje e lufton, përmes standardit BEPS (Base Erosion and Profit Shifting) të OECD.
Ky standard është i detyrueshëm për zbatim edhe për Shqipërinë, ndërkohë që ky projektligj bie ndesh me këtë standardit të detyrueshëm të BE-së.
Projektligji u hap derën plotësisht marrëveshjeve të brendshme dhe jo transparente të shitblerjes së aksioneve, mes përdoruesve apo zhvilluesit të parkut nga njëra anë dhe enteve publike nga ana tjetër, si dhe për krijimin e kompanive të përbashkëta, çka mund të sjellë lehtësisht situata të dëmtimit të interesave publike, në favor të interesave private.
Marrëveshjet e shitblerjes së aksioneve apo ato të bashkëpunimit mes enteve publike dhe përdoruesve apo zhvilluesve të një parku teknologjik dhe shkencor është e domosdoshme të paraprihen nga një procedurë konkurruese publike. Po ashtu, këto marrëveshje duhet domosdoshmërisht të bëhen publike, si dhe të mbahen auditime periodike nga KLSH, rezultatet e të cilave duhet edhe ato të bëhen publike.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 58/2022 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore” parashikon që brenda kufijve të parkut te mundësohet edhe ngritja e “Datacenter”, pra e Qëndrave të të Dhënave.
Ngritja e datacentrave në Bashkimin Evropian është një procedurë e rregulluar dhe e monitoruar me shumë kujdes. Bashkimi Evropian ka dy direktiva dhe një rregullore të posaçme, që trajtojnë aspekte të ndryshme të këtij aktiviteti.
Rregullorja e BE-së rregullon aksesin, përdorimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale të gjeneruara nga pajisjet e lidhura dhe shërbimet cloud, të cilat janë aktivitete thelbësore të datacentrave. Kjo Rregullore imponon kufizime strikte mbi vendndodhjen fizike të të dhënave personale të qytetarëve europianë dhe mbi transfertat ndërkufitare.
Mungesa e legjislacionit tonë mbi datacentrat e bën të pamundur verifikimin e pajtueshmërisë me këtë Rregullore të BE-së.
Prandaj dhe ky aktivitet i parashikuar në projekt nuk ka si të përfshihet tani në park, pasi më parë duhet të rregullohet me një legjislacion të veçantë, që të trajtojë çdo risk të veçantë të këtij aktiviteti tejet specifik.
Durana, parajsa fiskale për kompanitë favorite të Ramës, që merrnin dhjetra milionë euro kontrata nga AKSHI!
Një tjetër arsye kokëfortë për votimin kundër këtij projektligji e përbën skandali me parkun teknologjik në ajër, Duranën. Durana është një park teknologjik i rregjistruar në QKB më 20 shkurt 2025, pronë e Korporatës Shqiptare të Investimeve, entitet publik gjoja për zhvillimin e pronave publike, por çerdhe reale korrupsioni dhe abuzimesh me ligjin.
Baza ligjore për funksionimin e parkut është Ligji “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”. Me VKM Nr. 185 dt. 27.03.2024, sekti në qeverisje i dha Duranës një sipërfaqe prej 140.400 m2 në Xhafzotaj në Durrës, që do të përdoreshin për hapjen e këtij parku. Në këtë moment, Durana ende nuk kishte lindur, pasi regjistrimi zyrtar i saj u bë 11 muaj më pas, më 20 shkurt 2025. Skandali i parë qëndron në faktin që, edhe pse kanë kaluar tre vite që nga koha kur Durana mori tokën nga shteti, dhe gati dy vite nga momenti që u regjistrua, në Xhafzotaj të Durrësit, toka publike prej 140.400 m2 vijon të jetë djerrë!
Ligji i parqeve teknologjike i vitit 2022, në nenin 12 të tij e përcakton qartë se transferimi i një veprimtarie ekzistuese në territorin shqiptar në parkun teknologjik dhe shkencor, me qëllim kryesor përfitimin e lehtësive të parashikuara në këtë ligj, është i ndaluar.
Çdo transaksion, që në thelb rezulton në transferimin e veprimtarisë ekonomike sipas përcaktimit të mësipërm, është i ndaluar. Ky ligj, njëlloj si dhe ligji për procedurat tatimore, e ndalojnë që një biznes ose ortakë në një biznes, ta rishpikin veten, të përfaqësuar në një tjetër emër tregtar, por me aktivitet të ngjashëm, vetëm për të shpëtuar nga detyrimet fiskale. Mirëpo zbatimi i mbrapshtë i këtij ligji, nën kujdestarinë e Ramës dhe sektit të tij, është një mburojë për abuzim dhe korrupsion!
Kjo ka ndodhur me kompanitë kryesore të zhvillimit të softwerëve në Shqipëri, klientë të afërt të Ramës dhe të “kopshtit” të tij personal të abuzimeve dhe korrupsionit, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI-t famëkeq. Vetëm një kompani, e rregjistruar me një emër tjetër në parkun teknologjik Durana, ka marrë 60 milionë euro nga një tender sekret i AKSHI-t!
53 kompani u bënë pjesë e “DURANA Tech Park”, me një rregjistrim të thjeshtë prej 50 eurosh, duke përfituar lehtësirat fiskale të përshkruara më sipër, në një kohë kur paralelisht konkurrentët e tyre në sektor paguanin 15% tatimin mbi fitimin, përfshirë edhe detyrimet fiskale të tjera.
Rama lejoi, në mos e bashkë-ideoi vetë, që “Durana” të shpallej zonë e lirë për zhvillimin e teknologjisë, me status të posaçëm ligjor dhe fiskal, ndërkohë që kompanitë e regjistruara si përdoruese në të përfitonin përjashtime të gjera nga taksat dhe kontributet, edhe pse asnjëra prej tyre nuk ndodhej në tokën djerrë të Xhafzotaj të përcaktuar me VKM si vendndodhja e parkut teknologjik, në kundërshtim të hapur me legjislacionin në fuqi!
Mungesë e plotë transparence me projektet gjoja teknologjike
Sot nuk ka më asnjë gjurmë nga projekti “Durana Tech Park” në faqen zyrtare të Korporatës së Investimeve Shqiptare, një kompani publike që mbahet nga taksat e shqiptarëve dhe që e ka detyrë parësore transparencën e plotë. Çdo informacion mbi projektin “Durana Tech Park” është fshirë nga faqja e Korporatës, pa asnjë njoftim apo shpjegim publik.
Parku Teknologjik “Durana” u promovua si një nga projektet më ambicioze për zhvillimin e inovacionit, teknologjisë dhe industrive me vlerë të shtuar në Shqipëri. I paraqitur si hapësirë për start-up-e, kompani teknologjike, qendra kërkimore dhe shërbime digjitale, ai u shpall si simbol i kalimit nga ekonomia tradicionale drejt ekonomisë së dijes.
Deri tani, procedurat e përzgjedhjes së operatorëve dhe përdoruesve të parkut nuk janë shoqëruar me publikim të plotë të kritereve. Nuk ka qartësi mbi kushtet e kontratave, kohëzgjatjen, detyrimet financiare dhe përfitimet reale për shtetin. Me Duranën, rregjistrimi në të u vu në shërbim të interesave private të sektit dhe vetë Ramës, pa një proces real konkurrues.
Pjesa dërrmuese e aktiviteteve të kompanive të rregjistruara në “Durana” nuk përputhen me konceptin e një parku teknologjik. Në vend të kompanive të teknologjisë së avancuar, start-up-eve dhe inkubatorëve, janë futur aktivitete që kanë karakter të thjeshtë tregtar apo logjistik.
Mungon ekosistemi i inovacionit: laboratorë, qendra kërkimore, bashkëpunim me universitete, programe inkubimi dhe akselerimi. Kjo e kthen Duranën dhe çdo projekt tjetër nën këtë ligj të qepur të Ramës, nga një qendër zhvillimi teknologjik, në një zonë virtuale biznesi të zakonshëm, por me privilegje dhe trajtim të veçantë. Praktikisht, në kopshtet personale të abuzimeve të Ramës.
xxx
Një park teknologjik matet nga rezultatet. Nga sa start-up-e janë krijuar, sa vende pune me kualifikim të lartë janë hapur, sa projekte inovative janë zhvilluar dhe sa bashkëpunime me universitete dhe qendra kërkimi janë realizuar. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur me Duranën dhe me asnjë tjetër nismë për parqe teknologjike dhe shkencore. Kjo, pasi sektit Rama nuk i intereson inovacioni dhe aplikimet shkencore, por vetëm zhvatja, evazioni fiskal dhe korrupsioni.
Ligji i parqeve teknologjike i vitit 2022, dy VKM-të përkatëse dhe ky projektligj i paraqitur sot janë në grupin e akteve ligjore të qepura me porosi nga sekti në qeverisje, për të stimuluar korrupsionin tek klientët e tij.
Pezullimi më 13 janar 2026 i fondeve të Bashkimit Europian për projektet e qeverisjes digjitale në Shqipëri nuk ishte një keqkuptim teknik, as një incident i zakonshëm burokratik, pavarësisht që sekti në qeverisje e mbuloi dhe nuk e bëri kurrë publik njoftimin që mori nga Brukseli, lidhur me arsyet e pezullimit. Ky veprim ishte një sinjal politik i qartë dhe i rëndë: Europa e Bashkuar ka vendosur të ndalë mbështetjen për një model digjitalizimi publik në Shqipëri, i cili po zhvillohet pa transparencë, me tendera të AKSHIT të zhytur në abuzim dhe korrupsion, duke sfiduar demokracinë dhe larg me vite dritë nga llogaridhënia institucionale.
Gazeta RD