Nga Nikola KEDHI
Pata nderin dhe kënaqësinë të isha mbrëmë i ftuar në pritjen e organizuar nga Konrad-Adenauer-Stiftung, me rastin e vizitës në Tiranë të z. Dieter Althaus, ish-Kryeministër i Landit të Turingisë dhe anëtar i Bordit të Fondacionit Konrad Adenauer.
Përpara pritjes u shfaq premiera e filmit të shkurtër “Parallel Lives”, një rrëfim prekës mbi jetët e dy artistëve, sopranos shqiptare Merita Sokoli dhe tenorit sovjetik Vadim Kozin, të cilët, ndonëse mijëra kilometra larg njëri-tjetrit, u përballën me të njëjtën fytyrë çnjerëzore të persekutimit komunist.
Kujtesa për krimet e komunizmit nuk është thjesht një detyrim ndaj së shkuarës, por është një përgjegjësi ndaj së tashmes dhe së ardhmes.
Kujtesa, pa të vërtetën dhe pa drejtësinë, mbetet e paplotë. Shqipëria nuk mund të ndërtojë një demokraci të shëndetshme pa u përballur plotësisht me krimet e diktaturës, pa nderuar viktimat, pa dënuar moralisht dhe institucionalisht xhelatët dhe pa vendosur drejtësinë në vend aty ku për dekada ajo ka munguar.
Në këtë mbrëmje, ku morën pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të trupit diplomatik dhe të shoqërisë civile, pata mundësinë të diskutoja mbi plagët e thella që komunizmi i ka lënë ende shoqërisë dhe institucioneve tona, mbi gjendjen emergjente në të cilën ndodhet sot Shqipëria dhe mbi nevojën që demokratët, partnerët tanë europianë dhe të gjithë ata që besojnë tek liria, shteti ligjor dhe dinjiteti njerëzor të punojnë së bashku.
Trashëgimia e komunizmit nuk është vetëm histori. Ajo mbijeton sa herë pushteti vendoset mbi ligjin, sa herë institucionet kapen, sa herë e vërteta relativizohet dhe sa herë qytetari ndjehet i pambrojtur përballë shtetit.
Prandaj kujtesa duhet të na shërbejë edhe si thirrje për veprim për të vendosur drejtësinë në vend, për të mbrojtur lirinë dhe për të ndërtuar një Shqipëri ku askush të mos jetë më mbi ligjin dhe askush të mos mbetet më pa të drejtën e tij.








Gazeta RD