Zhvillimi i sistemit të pensioneve në Shqipëri nuk mund të kuptohet pa krijimin e tregut privat të pensioneve

Nga Naim Hasa*

Sigurimi i shtetasve në kohën e pleqërisë është problem i çdo shoqërie. Në përcaktimin e nivelit të tyre ndikojnë dukshëm disa arritje, si niveli ekonomik, struktura demografike e popullsisë, interesi i individit për zgjidhjen e tyre, etj. Mbi këtë bazë, çdo vend ka ndërtuar sistemin e vet të Sigurimeve Shoqërore.

Përgjithësisht duhet thënë përgjatë kohëve kryesisht janë zhvilluar dy sisteme kryesore për pensionet,

Pay-As-You-Go (PAYG), sistemi që ndryshe njihet edhe si sistem solidariteti apo i gjeneratave, ku kontributet e të punësuarve shfrytëzohen direkt për pensionistët aktualë dhe Sistemi vetëkapitalizues i bazuar në investime.

Por, shekulli i XXI ka shtruar para njerëzimit një sërë sfidash të reja me të cilat ai duhet të përballet si: gjetja e burimeve të reja të energjisë, shfrytëzimi i energjisë diellore, ekonomizimi i rezervave të naftës dhe të ujit të pijshëm, krijimi i teknologjive të reja që respektojnë ambjentin, etj,etj.

Por krahas këtyre sfidave të medha jetësore, një problem mjaft i madh dhe i mprehtë që e pret njerëzimin për t’u perballur është dhe ruajtja e  ekuilibrit të zhvillimit të burimeve njerëzore.

Në kushtet kur ritmet e lindjes po bien dhe jetëgjatësia mesatare e njerëzve po zgjatet, numri i “moshës së tretë” (pensionistët), po rritet me ritme shumë më të shpejta se ritmet e rritjes së popullsisë.

Në këtë kontekst, sistemi i sigurimeve shoqërore – “Pay As You Go” (PAYG), në themel të të cilit, qëndron parimi i vazhdimësisë së brezave, ku në rotacion brezi i punësuar derdh kontribut për brezin e pensionuar, po shkon gjithmonë e më shumë drejt pamundësisë për të plotësuar nevojat e “moshës së tretë”.

Këto situata të reja, shtrojnë sot para sistemit të sigurimeve shoqërore, disa alternativa:

Së pari, “A duhen reformuar sistemet ekzistuese Pay As You Go të pensioneve”? Nëse po, çfarë sistemi duhet vendosur – PAYG i modifikuar – Sistem pensionesh tërësisht private vetëkapitalizues, apo një sistem i alternuar i përbërë nga disa skema apo kolona.

Shumë vende europiane, gjatë fillimit të viteve ‘90-‘95 kaluan një periudhe, e cila u shoqërua me mjaft probleme për sistemin shtetëror të Sigurimeve Shoqërore. Fillimisht këto vende filluan të modifikojnë sitemin ekzistues, duke ruajtur ekuilibrat financiare, nëpërmjet rishikimit të kontributeve dhe ngritjes së moshave të pensionit.

Por në fakt, gjatë zbatimit, këto reforma hasën në mjaft devijime. Ato jo vetëm nuk sollën një përmirësim të situatës në vazhdimsi, por në mjaft raste thelluan më shumë kontradiktat midis brezave, duke mbingarkuar brezin e ri.

Në kërkim të zgjidhjes së kësaj problematike, organizma ndërkombëtare, të tillë si F.M.N., Banka Botërore, .I.L.O.etj, orientuan për ndërmarjen e një reforme të përgjithshme të pensioneve, tashmë në kushte të reja.

Në themel të kësaj reforme qëndronte ndërtimi i një sistemi të Alternuar (shumë-kolonësh), i cili do të kombinonte më mirë pjesëmarrjen financiare në fondin e pensioneve të sistemit të vjetër shtetëror të parimit të solidaritetit PAYG, me sistemin privat vetëkapitalizues të përgjegjshmërisë së individit për të marrë pjesë në zgjidhjen e problemeve sociale.

Për shpjegimin të  elementëve të domosdoshëm, të cilët krijojnë premisat për fillimin e ngritjes dhe zhvillimit të tregut privat të pensioneve, nevojitet një përshkrim i shkurtër i hapave që duhen ndërmarrë dhe se si duhet të funksionojë ky sistem.

Pikërisht për këtë, po i referohemi një “ekstrakti” të Bankës Botërore. Në vitin 1994, Banka Botërore organizoi në Madrid një takim me temë “Politika për përballimin e rritjes së moshës së popullsisë”.

Në këtë periudhë ishte rasti të hapej një debat i gjerë për riorganizimin e sistemeve të pensioneve. Pikërisht në këtë takim, u hodh edhe idea e sistemeve shumëkolonëshe…

Kështu, Banka Botërore, orientoi ndërtimin e sistemeve shumëkolonëshe, të cilat me kalimin e kohës do t’i linin vendin njëri–tjetrit, por në shumicën e rasteve, do të kishte edhe alternime mes atij paraardhës, me atë pasardhës.

Krahas kolonës së parë, që do të mbetej si kolona kryesore e politikës sociale, e cila ka të bëjë me sistemin publik të pensioneve, e që në çdo rast, mbetet pjesë e varur nga buxheti i qeverisë, u dhanë idetë e ndërtimit të kolonave të tjera.

Por cilat janë këto kolona:

Kolona e parë, është një sistemi shtetëror sigurimesh i parimit pay-as-you-go.

Shtrihet tek të gjithë personat ekonomikisht aktivë e familjet e tyre. Mështetet në parimin e solidaritetit e vazhdimësisë se brezave. Ky sistem vepron aktualisht pothuajse në të gjithë vendet e botës, më i zhvilluar në Europë.

Kolona e dytë, është një sistem i detyrueshëm me manaxhim privat, ku çdo i siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm shtetëror (kolona e parë), është i detyruar ligjërisht të paguajë një pjesë të kontributeve individuale në një fond privat pensionesh. Në këtë mënyrë, me plotësimin e kushteve për përfitim pensioni, të ardhurat e personave të siguruar përbëhen nga dy burime: një e ardhur (pension) nga skema e sigurimit të detyrueshëm shteteror dhe një tjetër e ardhur (pension) nga skema private e sigurimit.

Kolona e Tretë, është një sistem krejtësisht vullnetar me manaxhim privat, ku çdo person që dëshiron të ketë burime të ardhurash më të larta në periudhën e pensionit hyn në marrëdhënie sigurimi me këto institucione private, të cilat, nëpërmjet një menaxhimi efikas, sigurojnë të ardhura më të mëdha dhe përfitime shtesë kundrejt pagimit të kontributeve.

Sot këto siteme veprojnë pothuajse në të gjithë botën madje edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë dhe janë mjaf të sukseseshme.

Këtë model, krahas të gjithë vëndeve të zhvilluara si Gjermania,Franca,Italia etj, e gjejmë edhe në Poloni, Hungari, Kroaci, Bullgari, Estoni, Rumani, Republikë Çeke etj, të cilet sipas kushteve konkrete kanë bërë ndarjen e kontributeve dhe ndjekin në dinamik evolimin e këtyre proçeseve. p.sh.kontributi për pension në Maqedoninë e Veriut është 18.% e pagës, nga të cilët 13% derdhet në Fondin e Sigurimeve Shoqërore për skemën shtetërore (kolona e I) dhe 5 % derdhet në fondet e detyrueshme private (kolona e II), nga ku me plotësimin e moshës çdo njeri do marrë dy pensione, një shtetëror dhe një privat të formuar nga kontributet e derdhura dhe fitimi nga ivestimi i tyre.

Siç dihet, vetëm tre vënde të Ballkanit Perëndimor Shqipëri, Bosnjë e Serbi nuk e kanë kompletuar sistemin e pensioneve me kolonën e dytë private, kjo është edhe arsyeja që niveli i pensioneve në këto vende është me i ulti me vendet e rajonit.

Ndoshta në vazhdën e këtyre orientimeve të Bankës Botërore u miratua dhe ligji 10107,datë 10.12.2009 Per Fondet e Pensioneve Vullnetare, duke mundësuar fillimin e funksionimit të kolonës së tretë në Shqipëri, duke ngritur kompanitë e para të pensioneve  private vullnetare SIGAL, RAIFFEISEN, CREDINS dhe kohët e fundit Albsig, që ushtrojnë aktivitetin në këtë treg.

Po ti hedhësh një vështrim të përgjithshëm zhvillimit të aktivitetit të këtyre kompanive të ngritura, shihet një inkurajim i një shkalle të ulët të tij për këtë treg, në raport me elementët e tjerë të tij, si bankat apo fondet e ivestimit etj.

Siç dihet, në tregun financiar shqiptar funksionojnë 14 banka me kapital privat, të shtrira në të gjithë vendin, 8 kompani  sigurimi dhe mjaft institucione të tjera financiare, si ato të kursim-kreditit,  shoqëri leasing, etj, të cilat luajnë  një rol primar në tregun financiar në Shqipëri. Ndërsa ky treg, tregu i pensioneve, mjaft i domosdoshëm për kushtet që po përjeton sistemi shtetëror, paraqitet në fazën zhvillimore të  tij, duke zënë jo më shumë se  5-7  %  të tregut financiar, në një kohë që  ky treg në të gjithë botën, madje edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë është dominues  i tregut  financiar.

Aktualisht numri i kontribuesve në fondert private të pensionit ka arritur afro 33 mijë, kundrejt 400-450 mijë që janë forcat aktive, kontigjentë për këto skema dhe fondet që administrojnë 4.3 miliardë lekë, kundrejt 76 miliardë që zenë fondet e ivestimit.

Për kushtet e  Shqipërisë mendojmë që futja e sistemit privat te pensioneve paraqitet si më i përshtatshëm e funksional, mbasi:

Së pari, në Shqipëri afro 75-80% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) vijnë nga sektori privat, prandaj ska asnjë arsye të mos vlerësohet edhe në këtë fushë.

Së dyti, Shqipëria është një vënd Europian dhe përafrimi i ligjislacionit edhe në fushën e sigurimeve shoqërore është kusht  për tu anëtarësuar në këtë  familje.

Së treti, këto skema, për vetë konfigurimin e tyre ndihmojnë më mirë ekonominë e vëndit duke mobilizuar parat e lira të popullatës nëpërmjet investimeve të tyre në   instrumenta financiar afatgjatë  5-10-15 vjeçare (Obligacione Shtetërore).

Së katërti, zhvillimi i  tregut të pensioneve private do i japë një impuls mjaft pozitiv edhe  aktorëve të tjerë që veprojnë në tregun financiar.

Sigurisht, gjej rastin të vlerësoj reformën që u ndërmor në 2014, për sistemin e sigurimeve shoqërore në përgjithësi dhe atë të pensioneve në veçanti, e cila nëpërmjet reformave parametrika që përmbante kishte si qëllim:

Së pari, të ndalonte përkeqësimin e mëtejshëm dhe thellimin e dificitit financiar që në 10 vjeçarin e fundit kishte filluar sistemi i pensioneve,

Së dyti, të vendoste një pension social për moshën e tretë që nuk kanë kushte për pension pune,

Së treti, të vendoste rregulla të sakta e të qarta të indeksimit të pensioneve, bazuar në rritjen e indeksit të çmimeve.

Por një zgjidhje të qëndrueshme dhe një reforme të plotë dhe afatgjatë do të ishte vendosja e sistemit vetekapitalizues privat (kolona e dytë), si pjesë përbërëse e sistemit të përgjithshëm të pensioneve, ashtu siç e kanë të gjithë vëndet, madje edhe ato përreth nesh si, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Kosova etj.

Duke vendosur një sistem te alternuar pensionesh me dy komponent të rëndësishëm, një sistem publik bazë të konsoliduar dhe një sistem privat të zhvilluar, i detyrueshëm për brezin e ri krijohen premisa, jo vetëm për përmirësimin gradual të situatës financiare të sistemit të pensioneve, por ndihmohet edhe ekonominë e vendit duke mobilizuar kursimet e popullatës përmes kontributeve në ivestime.

Duhet pranuar që sistemet private të pensioneve sot paraqiten si një domosdoshmëri e kohës. Siç dihet skema e solidaritetit mendohet që e kreu mirë misionin e saj, ato ishin shumë efektive kur kishim një popullësi të re, ku shumë punonin e kontribuonin dhe pak përfitonin – paguaj pak e merr shumë.

Por në kushtet e plakjes së popullësisë ku këto raporte kanë ndryshuar shume, tani – paguaj shume e mer gjithmon e me pak, pothuajse në të gjithë botën, për vëndet e zhvilluara pas viteve 1980 dhe për vëndet në zhvillim pas viteve 1995 janë futur si komponentë të një pensioni edhe skemat private.

Sistemet private të pensioneve i japin zgjidhje mjaft problemeve që dikton koha:

Së pari, zgjidhin kontradiktën e brezave,  duke e bërë brezin e ri më të interesuar pë tu siguruar

Së dyti, zgjidhin problemet e shtrëmbërimit të tregut të punës, mjaft shqetësuese për ekonominë Shqiptare, si në rastin e evazionit të zi,por veçanërisht atij gri, pasi lidhet shumë mirë masa e kontributit me atë të përfitimit.

Së treti, ofrojnë përfitime në kushte më të favorëshme moshe, vjetërsie në punë e masë pensioni, duke siguruar në çdo kohë një transparencë.

Vendosja e sistemit të detyrueshëm privat të pensioneve edhe ne Shqiperi,duke ndarë 3-5% të kontributit për skemat vetëkapitalizuese kushtëzohet edhe nga nevoja që ka shteti Shqipëtar për burime financiare. Nëpërmjet vendosjes së skemës vetëkapitalizuese rriten investimet në ekonomi duke  mobilizuar asetet e të siguruarve që janë investuar ne obligacione shtetërore  afat gjate 5-10-15 vjeçare.

Nga shifrat që publikon Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nga disa përllogaritje, në këto skema për një vit grumbullohen 13.5 miliard lekë, ose 96.5 milion Euro, të cilat rriten çdo vit progresivisht dhe vetëm pas 10 viteve ato arrijnë në 230-250 miliard lekë ose 1.750 milion Euro.

Mundësia e mobilizimit të tyre për ekonominë e vëndit do të kërkonte që të specifikohet në ligj, si shumë vënde në zhvillim që 10 vitet e para të investohet vetëm në instrumenta financiar brënda vëndit.

Fondet e pensioneve private janë një domosdoshmëri aq urgjente, sa nuk mund të presin sa të zhvillohet mjedisi i tregut të kapitaleve vendas për të filluar aktivitetin e tyre, përkundrazi, si në shumë vënde Europiane  në zhvillim, do jenë pikërisht  ato që do të kushtëzojnë krijimin e zhvillimin e  këtij tregu.

Mbi këtë arsyetim, për një zgjidhje afatgjatë të problematikave që shfaq sistemi i sigurimit të detyrueshëm shtetëror, Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si organi më i lartë ekzekutiv, mbështetur në studimin e ndërmarrë me grup ekspertësh, miratoi reformimin e sistemit dhe hapi rrugën për zhvillimin e skemave të alternuara edhe në Shqipëri.

Në këtë kuadër iniciativa e ndërmarrë do të përmirësojë dhe plotësojë kuadrin ligjor të sistemit të Sigurimeve shoqërore sipas modelit evropian dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.

Ekzistojnë shumë shembuj, ku vende të ndryshme kanë përshtatur sistemin e tyre të pensioneve konform ndryshimeve të rëndësishme demografike e social-ekonomike që po përjetojnë.

Situata Aktuale e Sistemit të Pensioneve në Shqipëri

Është fakt i pranuar tashmë që në sistemin e sigurimeve shoqërore, pensionet janë faktor i konsiderueshëm në një sistem ekonomik të caktuar dhe nje element i rëndësishëm e i pazëvendësueshëm i mbrojtjes sociale. Prej tyre përfitojnë aktualisht rreth 20.6% e popullsisë, ose 660 mijë pensionistë, tregues ky, me prirje të qarta drejt rrritjes. Vetëm për pensione sot shpenzohen nga buxheti i sigurimeve shoqërore mbi 110 miliardë lekë e barabartë me 80% të gjithë buxhetit të sigurimeve shoqërore

Sistemi i pensioneve në përgjithësi dhe problematika e madhe që paraqet financimi në zhvillim i këtij sistemi në veçanti, kanë tërhequr vazhdimisht vëmendjen e institucioneve të interesuara për të gjetur forma e metoda më efikase në administrimin e kësaj skeme.

Duke e analizuar këtë proces, konstatohet se treguesit kryesorë të funksionimit të këtij sistemi janë mjaft shqetësuese. Niveli mjaft i ulët i të ardhurave në raport me G.D.P. (5.6% kundrejt 8 – 10 % të vendeve përreth nesh), raporti i ulët kontribues/përfitues 1.1 me 1, shkalla shumë e ulët e zëvendësimit (raporti pension mesatar / pagë mesatare) 35-38% kundrejt 75 %, kërkesa ligjore, si dhe përqindja e ulët e popullsisë në moshë punë të inkluduar në sistem (vetëm 30-32%) etj,. Në këto kushte, duhet pranuar se sistemi ofron pergjithësisht përfitime të ulëta me ngarkesa kontributive të larta.

 

Si rrjedhojë e të gjitha këtyre dukurive negative, zhvillimi i sistemit të pensioneve dhe rritja e qëndrueshmërisë financiare të tij është një domosdoshmëri që lidhur me tre çështje kryesore që kërkojnë zgjidhje.

Së pari – Deficiti aktual i sistemit të pensioneve është i lartë, ai arrin në 2.24% të PPB dhe, në këto kushte, parashikimet aktuariale supozojnë përkeqësim të kësaj gjendjeje.

Së dyti – Mos fuksionimi i skemave private të pensioneve për një periudhë 10-15 vjeçare në Shqipëri ka ulur në mënyrë të ndjeshme shkallën e zëvendësimit (pension mesatar/pagë mesatare),ose me saktë të ardhurat mesatare të një pensionisti.

Së treti – Problemet e papunesise, të informalitetit dhe veçanërisht të emigracionit në moshë pune, kanë ulur ndjeshëm përqindjen e popullsisë kontribuese në këto 15 vitet e fundit, duke krijuar një shqetësim të madh social për të ardhmen.

DISA NGA MASAT  QË MENDOJMË SE DUHET TË MERREN NË FUSHËN E PENSIONEVE

Ndër masat që duhet të merren për përmirësimin e tregut të pensoneve mund të themi me bindje të plotë se, është zhvillimi i skemave private vetëkapitalizuese të pensioneve. Me të drejtë sot ky sistem konsiderohet si një kërkesë e domosdoshme e kohës.

Legjislacioni shqiptar aktualisht lejon funksionimin e dy sistemeve (kolonave). Sistemi shtetëror dhe ai privat vullnetar suplementar. Për të rritur shkallën e zëvendësimit (raportin midis pagës mesatare me pensionin mesatar), i cili aktualisht është 35-40%, kundrejt 70 – 75% që duhet të jetë, kërkohet të zhvillohen skemat private.

Së pari, të inkurajohet skema vullnetare suplementare e sapo krijuar e pensioneve. Sipas ligjit, kjo skemë kryen dy fuksione: jep pensione shtesë mbi ato që jep sistemi i detyruar shtetëror dhe jep pensione në kushte më të favorshme nga ato që afon skema bazë. Kjo skemë ka nevojë për një përkujdesje më të madhe, përmes sistemit fiskal,të lehtësirave fiskale, zgjerimit të llojeve të fondeve, sidomos ato profesionale etj, për të rritur interesimin, siç veprohet sot në të gjithë botën.

Së dyti, të vendoset sistemi privat i detyruar, cka do te kerkoje nje ndarje te kontributit ne dy pjese, nje kontribut shoqeror qe do duhet te perballoje sistemin aktual te pensioneve dhe nje pjes kontribut individual, qe do derdhë ne llogaritë e veta te fondit te pensioneve. Kjo behet me imperative duke marrë në konsideratë nevojën që ka tregu shqiptar në fushën e investimeve dhe popullsinë e re që ka Shqipëria, ku mosha mesatare është aktualisht 38 vjeç (INSTAT Janar 2021), kundrejt 45 që e ka Europa.

Me ngritjen e këtyre skemave, krijohet mundësia për funksionimin e sistemit shumëkollonësh të sigurimeve shoqërore edhe në Shqipëri.

*Autori është ekspert i Sigurimeve Shoqërore dhe Këshilltar i Përgjithshëm pranë Fondit të Pensioneve Private SIGAL

Nëse keni nevojë për këshillim, mund të kontaktoni në:

Tel: +355 44511666

Email: info@fondisigal.com.al

About Redaksia

Check Also

Greqia pubikon skandalin: Gjyqtarja Irena Gjoka e dënuar në Greqi për falsifikim dokumentesh

Shkrimi i plotë i gazetës më të madhwe greke, “Ta Nea” Gjyqi i kryebashkiakut të …

Leave a Reply