Nga Bujar LESKAJ
In memoriam, Trifon Xhagjika
Atdheu është lakuriq!
Nuk mundem,
…nuk mundem,
nuk mundem.
E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpusë një degë dafinë
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të uritur!
Por sa i vogël qenka!
E mora për dore
ta rrit në zemrën time…
Vëllezër-
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!
1963
“Po të më jepni një top do të qëlloja mbi regjimin tuaj”- Trifon Xhagjika (1932 – 1963), poeti pa varr, disidenti deri në fund.
Kjo është shprehja lapidar në sallën e gjyqit e poetit, ushtarakut, disidentit dhe simbolit të qëndresës antikomuniste, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë bllokun e Lindjes, Trifon Xhagjika.
Trifon Xhagjika lindi në Peshtan të Tepelenës, në vitin 1932. Studioi në Shkollën Normale të Elbasanit. U diplomua në 1954 në Shkollën e Bashkuar për ushtarak.
Që në rininë e tij dallohet në shtypin e kohës me krijime në fushën e poezisë.
Në vitin 1959 botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”, duke tërhequr vëmendjen për frymën rebele e disidente në krijimtarinë e tij. Kjo do ta çonte në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit.
Në gjyqin komunist ai mbajti një qëndrim dinjitoz dhe shpërtheu i rebeluar me shprehjen: “Po të më jepni një top do të qëlloja mbi regjimin tuaj”.
Kjo ishte dëshira e fundit e Trifon Xhagjikës përpara inkuizitorëve komunistë.
Në atë heshtje varri, teksa Trifoni po dilte i lidhur këmbë e duar nga dyert e gjykatës, befas dëgjohet një zë kumbues: “Mbaje lart kokën, vëlla! Se ke Shqipërinë me vete!”. Kishte thirrur kështu vëllai i të dënuarit, doktor Ylli Xhagjika, modeli i trimërisë labe, civile dhe intelektuale, njeri i urtë e i mençur, që kishte shqisën dhe verbin e të papërkulurit, njëlloj si vëllai i tij.
Mjaft nga poezitë e pabotuara të TrifoniXhagjikës kanë humbur. Vetëm pas viteve ‘90 është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve: “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”.
Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet prej 58 vitesh poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij.
Në vitin 1994, Trifon Xhagjika është dekoruar me titullin e lartë “Martir i Demokracisë” me këtë motivacion: “Disident politik dhe letrar, kundërshtar i hapur i diktaturës komuniste, dënuar me vdekje dhe pushkatuar prej saj”.
Në vitin 2018 në Peshtan u vendos busti i poetit nga bashkëfshatarët dhe dashamirësit e tij.
Po në Tiranë, Tepelenë, Përmet, Gjirokastër, Vlorë kur do të vendoset busti i Trifon Xhagjikës – Nderi i Kombit?!