Vodka është një prej shtyllave të identitetit rus, por ka më pak se 100 vjet histori. Si ka lindur, si ka ndryshuar në kohë dhe pse është bërë simboli i vendit.
Nuk është se matrioshkat dhe balalajkat janë më pak, por në Rusi është vodka ajo që konsiderohet si produkti kombëtar par excellance. Jo vetëm në mitologjinë zyrtare, por edhe në vetëdijen popullore. Është kuintesenca e shpirtit, e melankolisë dhe e mizerjes ruse. Megjithatë, në formën me të cilën njihet dhe adhurohet sot, kjo pije – një zgjidhje ujore e alkolit etilik e retifikuar me një gradim prej 40% – ka pak më shumë se 100 vjet. Mund të tregohet edhe me një saktësi të caktuar si viti i shfaqjes së vodkës ruse, 1895, ashtu edhe emri që e bëri të mundur, Sergej Juleviç Witte. Në realitet, për të qenë skrupulozë i duhet shtyrë lindja me 40 vite të tjera, deri më 1936. Por le të ecim me kujdes.
Ta fillojmë me një përshkrim të shpejtë të parimeve të kimisë. Etanoli (domethënë alkoli i përdorur në pijet alkolike) prodhohet duke u nisur nga glukoza nëpërmjet një procesi fermentimi për shkak të majave dhe mikroorganizmave të tjera. Kështu sigurohen vera, birra dhe pije të tjera me gradacion të ulët alkolik, të njohura qysh nga lashtësia në të gjithë botën. Rusia është një vend i ftohtë, kur rrushi nuk rritet dhe, si në të gjitha vendet e Europës Veriore të paktën deri në ‘500, këtu konsumoheshin kryesisht pije me bazë mjalti dhe birra, me një gradacion jo më të lartë se 10%. Për të siguruar një përqëndrim alkolik më të lartë nevojitet distilimi, domethënë procesi i ndarjes së ujit dhe alkolit që parashikon avullimin e lëngut dhe kondensimin për ftohjen e avujve të siguruar. Duke e përsëritur procesin, distilimi mundëson të prodhohen pije me një gradacion edhe në masën 50% – 70%.
Teknologjia e distilimit ishte e njohur në botën arabe qysh nga shekulli i IX dhe mbrriti në Europë vetëm rreth shekullit të XII. Për shumë kohë nuk u zbatua për prodhimin e alkolikëve: përdorej sidomos në mjekësi dhe në proceset alkimike. Është vetëm nga ‘300 që në Europë distilimi përdoret për të prodhuar pije, ama ky proces nuk prodhon alkol të pastër, pasi lëngu i siguruar përmban një sasi të caktuar papastërtie. Shija finale e masës së distiluar në pjesën më të madhe përcaktohet nga ingredientët bazë, nga teknologjia e distilimit, nga lloji dhe kohëzgjatja e vjetërimit. Nga këtu buron larmia e superlakolikëve që gjejmë nëpër dyqane dhe bare: raki, konjak, uiski, burbon dhe të tjera.
Çështje shijeje
Po në Rusi? Pijet me garadacion të lartë të siguruara nëpërmjet distilimit (vinokurenie në rusisht) u përhapën vetëm duke filluar nga ‘500. Si në të gjitha vendet e Europës Veriore, edhe në Rusi aqua vitae (uji i jetës, sot acquavite) ishte me bazë gruri, sidomos një tip tip thekre vendase. Rusët i quanin superalkolikët e tyre “verë buke” ose “verë e thjeshtë”. Kjo pije mund të kishte një gradacion alkolik prej 38% (në këtë rast ishte polugar, që do të thotë e djegur përgjysëm, sipas një sistemi të vjetër të përdorur për të përcaktuar përmbajtjen alkolike dhe cilësinë e pijes) apo prej 50% (“vera në tre prova”, e siguruar dike djegur dhe duke bërë të avullojnë 2/3 e lëngut). Natyrisht që piheshin edhe versione më të thjeshta, me një përqëndrim alkolik prej 15% – 20%. Por këto pije zakonisht nuk quheshin verëra. Nëpërmjet distilimit mund të sigurohej një solucion me një përmbajtje etanoli jo më të lartë se 70%.
Megjithatë, në mesin e ‘900 nisën të përdoreshin kolonat e retifikimit, që mundësojnë të kihet një përqëndrim i alkolit deri në 90% – 95%. Ky tip alkoli nuk përmban thuajse aspak papastërti, prandaj rezultoi i përshtatshëm në përdorime mjekësore dhe teknike. Teknologjia e re u përhap me shpejtësi dhe shpejt u kuptua se përdorimi i kolonave të retifikimit ishte më ekonomik, më i lehtë dhe jepte edhe produkte më të sigurta e pa papastërti. Natyrisht, shpejt u përhap edhe praktika e prodhimit të pijeve alkolike të forta thjesht duke holluar alkol të pastër të retifikuar.
Megjithatë, siç do të kuptohet në vijim, njerëzit i pijnë pijet alkolike jo vetëm prej efektit të alkolit: kanë peshë edhe traditat, zakonet dhe shija. Për këtë në vendet me regjime të lira konkurrence pijet me bazë alkol të holluar humbën me shpejtësi terren karshi distilateve tradicionale. Në Rusi nuk ndodhi. Sikur edhe këtu të kishte ekzistuar tregu i lirë, ndoshta sot do të ekzistonte akoma distilati i thekrës, por gjërat kanë shkuar ndryshe.
Gjenia e Witte
Qysh nga vitet ‘60 të ‘800 në Rusi shitja e pijeve alkolike i nënshtrohej pagesës së aksizave, pakashumë siç ndodh sot. Për arkat e shtetit të ardhurat qenë të mira, por më pak të konsiderueshme nga sa do të kishte dashur ministri i Financave Sergej Juleviç Witte, por i cili vetëm thjesht nuk mund ta rriste atë: një masë e kësaj natyre do të perceptohej si një plaçkitje në dëm të sipërmarrësve dhe të konsumatorëve. Kështu që Witte vendosi të krijonte monopolin e shtetit për prodhimin dhe tregëtimin e pijeve alkolike. Për të tejkaluar rezistencat e sipërmarrësve de pakënaqësinë e popullsisë shpjegoi se ndryshimi ishte menduar për motive të shëndetit publik: objektivi ishte të mbroheshin konsumatorët nga falsifikimet me cilësi të ulët, helmues dhe plot me papastërti, që gjendeshin në treg. Pra, problemi nuk ishte edhe aq abuzimi me alkolin, por cilësia e ulët e produktit të konsumuar, një përzierje e etanolit me substanca të dëmshme për organizmin njerëzor.
Duke qenë se kontrolli i cilësisë së distilateve të prodhuesve të ndryshëm ishte i paamundur, shteti vendosi ta blinte të gjithë alkolin e prodhuar, ta rafinonte dhe më pas ta shiste nëpër dyqane në pronësi të Ministrisë së Thesarit. Në këtë mënyrë në treeeg do të qarkullonin vetëm pije të sigurta, thelbësisht alkol i pastër i holluar me ujë. Monopoli u paraqit në vitin 1895. Pija alkolike e holluar atëbotë quhej “verë shtetërore”, por është ajo që sot e njohim si russkaja vodka, vodka ruse. Ideja e mbrojtjes së qytetarëve nga produktet e rrezikshme qe një lëvizje madhështore marketingu dhe, sikur Witte të mos e kishte rikonceptuar rrënjësisht sistemin e vjetër prodhues, ka shumë mundësi që sot nuk do të kishte asnjë vodkë ruse.
Historia e monopoleve alkolike në Rusi do të kërkonte një diskutim më vete. Ajo që ka vlerë këtu është që regjimi i krijuar nga Witte qe një kryevepër politike: për 19 vite do t’i sillte shtetit rus ¼ e të ardhurave të tij. Edhe për këtë impakti i tij mbi kulturën alkolike të vendit qe i jashtëzakonshëm. Pasi alkoli i holluar nuk kishte shije të fortë, lëndët e para për prodhimin e tij nuk vlenin shumë, e rëndësishme ishte të gjendeshin lejtë dhe me çmim të mirë. Kjo bëri që 95% e alkolit rus të ishte me bazë patateje. Ata që e prodhuar qenë privatët, por pija finale realizohej në fabrikat shtetërore.
Në shitje kishte dy lloje vodke: vera shtetërore e thjeshtë (rëndom e quajtur “kokëkuqe”, nga ngjyra e vulës së vendosur në tapë), që mbulonte 99% të tregut, dhe vera shtetërore e tavolinës (“kokëbardhë”). Kjo e fundit dallohej nga një pastërti më e madhe, por nuk kishte kurrfarë ere, ishte më e kushtueshme dhe më pak e përhapur. Vera shtetërore prodhohej në shishe me përmasa të ndryshme dhe njësia matëse ishte kova. Damixhana më e madhe ishte një çerek kove, pak më shumë se 3 litra, ndërsa shishja më e vogël quhej shkalik dhe përmbante rreth 63 gram vodkë.
Një risi tjetër e rëndësishme e lidhur me futjen e monopolit shtetëror qe rinovimi i sistemit të shpërndarjes, që pati një rol vendimtar në zhvillimin e kulturës së pirjes në Rusi. Nëse më parë alkoli konsumohej kryesisht në lokalet publike, në një moment të caktuar u vendos që vodka mund të shitej vetëm nëpër dyqane shtetërore dhe ekskluzivisht për t’u marrë me vete. Qëllimi ishte ruajtja e shëndetit të kombit: faktikisht besohej se në shtëpi njerëzit do të deheshin më pak se nëpër lokale. Por në praktikë u arrit efekt i kundërt. Shitjet e pijeve alkolike u rritën shumë dhe, për pasojë, edhe të hyrat për arkat e shtetit, si edhe u përhap zakoni i të pirit nëpër kopshtet publike, në vende të fshehëta ose drejtpërsëdrejti nëpër rrugë. Shitja e vodkës për konsumim të menjëhershëm nuk ndalohej, por u bë më i vështirë nga ligji i ri. Për të shërbyer verë shtetërore të shuar duhej të kishe liçenca speciale, të cilat qenë dy llojesh: ajo më e aksesueshme ju mundësonte lokaleve të shisnin vodkë vetëm me shishe të vulosura dhe jo të hapura. Në lokalet luksoze, e kotë të thuash, këto probleme nuk ekzistonin.
Shteti i plotfuqishëm
Në këtë pikë mbeten për t’u bërë disa konsiderata lidhur me emrin aktual të pijes dhe me gradacionin alkolik të saj., që sot është në 40%. Fjala vodka (përkëdhelës i voda, që në rusisht do të thotë ujë) ka ardhur në Rusi në ‘500, ka mundësi nga Polonia, ku njihej qysh një shekullë më parë. Fillimisht ishte përdorur për gnjyrosjet alkolike mjekësore me bazë barërash. Më pas, nga ‘600, filloi të tregonte të gjitha pijet e rafinuara me bazë verën e bukës. Në ‘800 domethënia e fjalës vodka u zgjerua ndjeshëm, deri sa të tregonte çdo pije alkolike të fortë, jo vetëm ruse. Megjithatë, në fillimet e ‘900, në Rusi emri zyrtar i pijes së vetme alkole me gradacion të fortë e përhapur në treg ishte ende “verë”. Shpesh njerëzit e quanin vodka, por zyrtarisht shitej me emrin “verë”. Kështu qe deri në vitin 1925, kur autoritetet sovjetike abroguan ligjin që ndalonte qarkullimin e pijeve alkolike dhe rivendosën regjimin e monopolit. Etiketat me fjalën “vodka” nisën të përhapeshin në fundin e viteve ’20 dhe vetëm në vitin 1936 u adoptua standardi i prodhimit sovjetik, ku emërtimi “vodka” i caktohej një solucioni me 40% alkol të retifikuar. Kështu që vodka ruse ende nuk ka mbushur 100 vjeçët.
Po pse gradacioni duhej të ishte saktësisht prej 40%? Perefeksionimi recetës së vodkës ruse, me përmbajtjen e saj të saktë të alkolit, shpesh i atribuohet kimistit të madh Dmitrij Mendelejev, që në tezën e tij të doktoraturës merret me “kombinimin e alkolit me ujit”. Por puna e tij i kushtohet parimeve dhe logjikës së matjeve, jo studimit të karakteristikave të pijes. Ishte një tekst pastërtisht shkencor dhe nuk kishte marrëdhënie të drejtpërdrejtë me prodhimin e pijeve alkolike. Ai 40% i famshëm nuk vinte pra nga llogaritje kimike, por nga vlerësime të natyrës ekonomike. Siç e kemi thënë më lart, deri më 1895 në Rusi ishte në fuqi sistemi i aksizave mbi prodhimin e shitjen e pijeve alkolike. Vlera e tyre llogaritej mbi bazën e gradacionit të pijes dhe standardi i referimit ishte polugar, që përmbante 38% alkol. Me shfaqjen e alkolmetrave të parë, ministri i Financave Michael von Reutern në vitin 1866 pati idenë e rrumbullakimit të përqindjes për të lehtësuar llogaritjet.
Përmbledhtazi, duhet thënë se karakteristikat kryesore e pijes kombëtare të Rusisë – forca, ashpërsia, thjeshtësia – nuk vijnë aspak nga shpirti popullor rus. Sikur të mos kishte qenë për dëshirën pasionante e taksimit të popullsisë me pretekstin e ruajtes së shëndetit të saj, ndoshta sot do të ishim mësuar që të shijonin sfumaturat komplekse e polugar të thekrës. Por këto janë vetëm fantazi. Problemi kryesor, forca kryesore dhe shpesh (shumë shpesh) fatkeqësia kryesore e rusëve ishtë pikërisht shteti. Edhe për këtë, është tejet logjike që vodka – një pije alkolike e pastër dhe pas asnjë erë, e krijuar dhe e shitur nga shteti – është shndërruar në një prej simboleve të vendit dhe pija kombëtare e tij.
(Andrej Gromov për Republic)
Përgatiti
ARMIN TIRANA