Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka reaguar në lidhje me dorëheqjen e Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike. Bylykbashi e quan aktin e sotëm të Bashës ‘kronikë e një largimi me turp’.
Deputeti demokrat thotë se, veprimet e Bashës pas 9 shtatorit kishin për qëllim shkatërrimin e Partisë Demokratike ndërsa shton se akti i dorëheqjes do të vlente deri më 11 dhjetor, ditë kur u shkarkua nga Kuvendi i PD.
Ndër të tjera Bylykbashi thotë se, Basha shkon deri në nivelet e marrëzisë dhe nuk është i suprizuar nga dorëheqja e tij.
“Akti i dorëheqjes së Lulzim Bashës do të vlente deri në 11 Dhjetor. Kjo e sotmja është kronika e një largimi me turp. Si iku Basha? I ikën të gjithë. Iku anëtarësia, e votuesve etj. Pra është maskarada e një largimi me turp.
Kush e ka njohur nga afër e di që Basha shkon deri në nivelet e marrisë. Ndaj nuk jam i surprizuar nga dorëheqja, por nga veprimet e mëtejshme pas 9 shtatorit kur ishte e dukshme që anëtarësia ishte kundër tij.
Dhe qëndrimi dukej i qëllimshëm për të shkatërruar Partinë Demokratike. Edhe pse nuk iku në 25 Prill, na mblodhi dhe na pyeti se si ta quajmë procesin e zgjedhjeve dhe i pëlqeu fjala masakër. Edhe pse nuk ishim në ato kushte.
Mesazhi që sot marrin të gjithë shqiptarët është që cikli i tij ishte mbyllur dhe ai do të përpiqet të krijojë cikël tjetër. Por ky mesazh vlen më shumë për anëtarët e Partisë Demokratike”, tha Bylykbashi.