Bishnica ashtu si bukuritë magjike të natyrës, mban të fshehura shumë dhembje njerëzore

Nga Fari MUÇO

Ka qenë edhe një Bishnicë tjetër…

Bishnica, një fshat i vogël në rrethin e Pogradecit, mbart bukuri natyrore magjepsëse. Por në të vërtetë Bishnica e dekadave para vitit ‘90 ka qenë shumë e shumë më e bukur.
Duke lexuar shkrimin e z.Edison Ypi,”E dashur Bishnicë” botuar në gazetën “Mokra” të shtatorit, më gëluan kujtime dhe ndjesi të shumta të një kohe të largët, ajo e viteve 1969-1971, kur kam punuar si mësues në Bishnicë.
Z.Ypi citon se “Bishnica është një bukuroshe e mënjanuar, një perri e përgjumur, një mjegull e arratisur”…dhe ai e ka fjalën për Bishnicën e vitit 2021. Por në të vërtetë Bishnica e dekadave para vitit -90 ka qenë shumë e shumë më e bukurSi qendër punëtorësh, ajo kishte gjithë kujdesin maksimal të qeverisë së asaj kohe, furnizimi me ushqime si nata me ditën me fshatarësinë kooperativiste. Por bukurinë më të madhe përveç asaj magjike të natyrës, ia jepnin njerëzit, popullimi, rinia, të cilët e bënin Bishnicën të gumëzhinte si një koshere bletësh. Ajo ishte vërtet një qytezë, pasi aty funksiononin të gjitha objektet social-kulturore, si shkolla tetëvjeçare, salla aktivitetesh, spitali, hoteli, dy mensa, furra e bukës, kopshti botanik, apartamente, park automjetesh, ofiçina, baxho bulmeti etj. Shkolla e mbrëmjes funksionale plot me puntorë, gra dhe burra me katër orë mësimi, ku u arsimuan edhe kuadro të ardhshëm si E.Zeneli, H.Fetai,etj.
Njerëz punëtorë, heronj të vërtetë mes borës ngarkonin trupa për kamionët e targave TR,KO,PG,EL,LB dhe ashtu të lagur e mbërdhitur vinin në shkollën e natës, ku ne mësuesit i ndiznim sobat gjysmë ore para fillimit të mësimit dhe klasat ngroheshin e ata tereshin nën avujt e zjarrit. Gëzonin respekt të veçantë drejtuesit Hariz Biba, Halit Çela, Hetem Rapçe, inxhi. Nazif Mahmutllari etj.
Por ka qenë edhe një Bishnicë tjetër, e cila, ashtu siç mban të fshehura bukuritë magjike të natyrës,mban të fshehura edhe shumë dhimbje e fatkeqësi njerëzore, pasi Bishnica ishte piketuar edhe si një qendër internimi, survejimi, arrestimi dhe dënimi. A ishte Bishnica fajtore për këto të fundit? Jo dhe jo. A ishte Bishnica e përdorur nga regjimi i asaj kohe si e tillë? Sigurisht që po.
Z.Ypi shkruan se “Bishnica është si një film tmerrësisht i bukur”, por brenda këtij filmi janë luajtur drama e tragjedi skenarësh tmerrësisht të dhimbshëm, ku ndonjë prej tyre do të mundohem t’jua sjell nëpërmjet” personazheve, regjisorëve dhe aktorëve “mbetur nëpër mjegullat e kohës, dhe më mirë që ajo mjegull i mban kyçur në memorien e saj, pasi sot ato do të ngjanin si fantazmagori që vështirë t’i besojë kush nga brezat e sotëm. Sa për prolog po ju sjell një detaj të vogël,por që fshihte një të vërtetë të madhe.
Më 16 gusht të 69-s, emërohem mësues në Bishnicë. Sapo futem në dhomë për të lënë diçka, sanitarja e dhomave të punëtorëve, e shoqja e Rexhep Elezit, ose Xheporja, siç e thërrisnin atje, për të cilën kam respekt si familje, më pyeti: – Si e ke rrethanën ti bir që të kanë sjellë këtu?
– U shtanga, pasi edhe fjalën “rrethane”e dëgjoja për herë të parë aty, por më vonë e mësova kuptimin e saj.

GURI

Sapo dolëm nga mensa dhe po niseshim për në shkollë Në mes të sheshit zbret nga vetura Myzafer Sulejmani, sekretari i dytë i partisë në rreth dhe na ndalon. Sheshi ishte i mbushur plot me njerëz,nxënës, punëtorë që dolën për punë dhe. Ai,sekretari,e zuri për flokësh pranë veshit mësues Guri Hoxhallarin dhe duke ia tërhequr fort,thërriste:
– Ç’i ke këto flokë të gjata ti, çfarë mësuesi je ti,me këto flokë të gjata,kështu të ka mësuar partia ty?
– Mësues Guri u ndje i fyer para syve të sa e sa njerëzve dhe nxënësve,dhe i bie dorës së sekretarit duke i thënë:
– Hiqe dorën, pse partia me qimet e kokës sime do merret?!
– Kaq u desh dhe pas dy-tri orësh arriti gazi 69 i Degës së Brendshme Pogradec dhe bën arrestimin e mësuesit të talentuar të matematikës. Guri u mbajt 6 muaj në hetuesi,nën presion, dhunë dhe tortura,saqë pësoi dëmtime nervore. Në këto kushte gjykata e dënon me 6 muaj burg,aq sa kishte bërë në birucë dhe e lirojnë nga salla e gjyqit. Po mandej? Mandej, një mësues 22-vjeçar humbi jo vetëm profesionin,humbi jo vetëm rininë, por humbi edhe gjithë jetën,pasi dëmtimet ishin të pariparueshme dhe e kthyen në invalid,nuk gëzoi dot jetën,nuk krijoi dot familje. E kush mbajti përgjegjësi, kush u dënua për këtë krim?! Asnjeri. T’i marrësh jetën tjetrit për flokët!?

ZENELI

Zenel Lamce ishte nga Starova. Ishte një mësues polivalent,i emëruar mësues në Tallën e largët. Duke patur një kulturë të gjerë,mjeshtër mësimdhënieje, cilësi prej aktori dhe me një zë të veçantë për spiker në Rtv,ai shkon në Tiranë dhe konkurron për spiker në Radio-Televizionin Shqiptar. Pas provave që dha,të mëdhenjtë e mikrofonit të atyre viteve, Virgjil Kule, Kico Fotiadhi e urojnë duke i thënë:
– Urime djalosh, së shpejti do të jesh kolegu ynë në RTSh, pasi ti je një talent, ndaj je fitues.
-Zeneli lumturohet pa masë,dhe këtë lajm ma dha mua të parit. E urova me shpirt,por me vete mendoja,pa i thënë gjë atij,se ky gëzim më dukej i parakohshëm, sepse fatin e tij do ta vendoste ai zarfi që do të shkonte më pas në Tiranë. Dhe ndodhi tamam ashtu,një zarf i bardhë nga jashtë,por i zi nga brenda varrosi çdo shpresë, çdo ëndërr, çdo vlerë. Mos vallë ky konkurrim u bë shkas për gjëmë që po përgatitej për Zenelin?
Ndoshta,derisa mësuesit artist i kurdiset nja skenar i pisët nga hijet e Bishnicës dhe e pushojnë nga arsimi duke e detyruar të punojë si hekurkthyes për pesë vjet në Gurin e Kuq. Pas pesë vitesh,me ndërhyrjen e dajës së Zenelit nga Korça, hero i punës socialiste, Stili Kaskaviqi, sekr.i parë i partisë në rreth, e emërojnë Zenel Lamçen mësues në Selcë Sipër. Kultura korçare e bëri të vetën. Me ardhjen e demokracisë,si emërohet drejtor i shkollës së mesme Rëmenj.
Po pse po shkruaj kaq pak,kur ai meriton shumë, shumë? Për arsye se ai në Mokër punoi e u rrit, mokrar u bë dhe ia shpërbleu Mokrës,të cilën ai e donte shumë,duke bërë për të si gazetar i Tv lokal disa dokumentarë dhe kronika televizive për historinë,gjeografinë,vlerat dhe traditat e saj bashkë me z.Gëzim Hunçi, ndaj ne mokrarët u jemi mirënjohës atyre që Mokrën e lartësuan siç ajo meriton.

YLBER DAROVA
(Beni, ose Beli)

Bishnicë 8 Mars 1971. Një borë e madhe kishte mbuluar gjithë vendin. Çifti Ylber dhe Shpresa Darova banonin në një barake të keqe druri,si të internuar që ishin. Atë mëngjes Ylberi(Beli-Beni),bashkë me shoferin e Zisit, Tasi Pano, niset për në Pogradec për furnizim për ndërmarrjen. Në Qafën e Velçanit ndeshen me gazin 69 të Degës së Punëve të Brendshme Pogradec, ngelur nga bora. Dalin nga xhipsi operativi dhe policët dhe bëjnë arrestimin e Belit. E prangosin dhe e zbresin në Bishnicë me pranga në duar. Ishte mëngjes dhe punëtorët kishin dalë për të shkuar në punë,nxënësit në shkollë,pra sheshi ishte plot me njerëz.E zbresin Belin nga xhipsi, të prangosur vetëm pesë metro para barakës ku ai banonte. Dy operativë sigurimi bastisën baraken, ata nxirnin nga barakja revista dhe libra, i flaknin në erë që t’i shikonin populli dhe thërrisnin:
– Ja,ja,shikoni çfarë revistash në gjuhë të huaj italiane lexon armiku i popullit dhe partisë, ja, ja libra të ndaluar, shikoni, po Partia më në fund e zbuloi. Në të vërtetë Beli kishte fituar respektin e njerëzve falë kulturës dhe edukatës njerëzore.
– Gjithë njerëzit me heshtje varri ndiqnin këtë skenë makabre, e denjë për skenar filmi, kurse gjiganti Ylber Darova qëndronte stoik dhe duke vënë paksa buzën në gaz,shikonte sa andej këndej pa u tutur, madje ajo pamja e tij prej fisniku, prej artisti, intelektuali, një lis i gjatë e simpatik, cilësi këto që ndoshta i tërbonte më shumë, ishte një sfidë që bëjnë burrat.
Askush nuk foli një fjalë,ata mund ta merrnin nga rruga ta dërgonin në Pogradec,por programi i tyre ishte të demonstrohej terror në mes të popullit,të mbillnin frikë në popull,sepse edhe vetë Bishnica ishte një vend internimi,aty vinin kuadro me cen në biografi, aty peshkoheshin, aty arrestoheshin.
Mësuam më pas se e dënuan 12 vjet burg.

ENKELEJDA (Diana)

Antari i Byrosë Politike të K.Q.P.P.Sh., Rita Marko do të vizitonte Bishnicën. Për ta pritur sa më mirë,partia në rreth urdhëroi të gjitha skodat e parkut të Pg,Lb,El,Tr,Ko, të sillnin fshatarët e të gjitha fshatrave të Mokrës së Poshtme në Bishnicë dhe ashtu u bë. Pritja do të bëhej në gjatësinë e rrugës që nga Bishnica e vjetër deri në qendër. Njerëzit zunë vend në të dyja anët e rrugës dhe në rreshtat e para nxënësit e shkollës dhe të kopshtit me lule në duar. U bënë disa prova më parë se të vinte ai.
Erdhi çasti, stuhi brohoritjesh për Partinë dhe sh.Enver gjatë gjithë gjatësisë së rrugës. Pranë rrugës ishin vendosur stiva me dru zjarri një metër të larta dhe mbi 200 m gjatësi nga ana e lumit. Midis fëmijëve të kopshtit ishte edhe çupa e Ylber Darovës, Enkeleda quhej, ne mësuesit e përkëdhelnim çdo mëngjes kur vinte në kopësht, se kopshti e shkolla ishin në një ndërtesë. Ishte një kukull e vërtetë, me floçkat me onde, e shëndetshme,faqet topolake,e qeshur e sy të ndezur,por më të bukur e bënte mamaja e vet, e cila e vishte aq bukur e pastër. Nuk kuptuam asgjë ç’kishte ndodhur ato çaste me Enkeledën e vogël 4vjecare, pasi po merreshim me pritjen e bllokmenit. Gjëma kishte ndodhur. Drejtori i shkollës e rrëmben Enkeledën në krah, si shqiponja zogun dhe e dërgon prapa stivës së lartë e të gjatë të druve, midis lumit të Bishnicës dhe druve derisa të mbaronte pritja e të largohej udhëheqësi i Partisë .
O Zot, çfarë tmerri, ndërsa këtej brohoritej e duartrokitej për Partinë e sh.Enver, atje prapa druve, pranë zhurmës së frikshme të lumit, alurinte e mbytej me lotët e saj Enkeleda e vogël katër vjeçe! Sa është trembur e terrorizuar e mjera vajzë!Por gjithë këtë turp e krim e mësuam pasi mbaroi ceremonia,kur vetë drejtori na tregoi për atë që kishte bërë. Kur e pyeta pse e kishte bërë këtë veprim,ai u përgjigj: –
Që të mos e merrte Rita Marko në krah, se ajo binte në sy me bukurinë me veshjen e saj atje në rreshtin e parë,kështu më urdhëruan ata të partisë aty.
O Zot,thashë,një bukuri që vret,edhe nga bukuria rrezikohej qeveria!?
Mbetëm pa gojë nga habia!Të nesërmen në mëngjes Enkeleda e vogël vjen në kopsht me mamin e saj, Shpresën. Sa e pamë,na zuri tavani nga ajo që ndodhi një ditë më parë. Ajo, me lotë në sy,kërkoi të takojë drejtorin. Sapo ai doli nga zyra,Shpresa duke qarë me të madhe iu drejtua:-Po luftë klase bëni edhe me këtë fëmijë të vogël,po nuk kini një çikë gjynah,po jeni njerëz a çfarë jeni, kini shpirt e zemër ju?Turp t’u vijë,po sikur të ma kishte gjetur gjë çupën, të mbytej në lumë?Turp të kini!
-Dhe u largua duke na dhënë një dru të mirë të gjithëve. Kishte të drejtë.

TOMSONI, JETIMI PA MBIEMËR

Një ditë na vjen nga Tiranë në Bishnicë një inxhinier pyjesh,i emëruar aty. Një djalë dy metër i gjatë, brun, tepër simpatik,në këmbë një palë atlete sporti me qafa,që ne çunat e asaj kohe nuk i kishim parë kurrë. Sa të bukura ishin,sidomos në atë trup aq elegant. Pas disa ditësh mësuam se Tomsoni, kështu e kishte emrin,kishte erdhur si i internuar këtu në Bishnicë. Duke e pyetur për ato atletet, mësova prej tij se ai kishte qenë basketbollist i ekipit të “Partizanit”. Nga që kishte dalë disa herë jashtë shtetit me ekipin,ai kishte parë edhe botën e lirë në perëndim dhe diku kishte folur për ato që pa, por spiuni e bëri punën,pasoja ishte përjashtimi nga sporti dhe internimi në Bishnicën e largët.
Tomsoni nuk kishte familje, ai ishte rritur në shtëpinë e fëmijës. Kur mësuam këtë fakt,dikush ishte shprehur se ç’ka qenë ajo nënë mizore që e ka braktisur këtë yll djalë,nuk kemi parë jetim kaq të bukur!E,po Zoti nuk e braktisi, ai i kishte dhënë edhe bukurinë, edhe diturinë, inxhinier dhe sportist i shkëlqyer jetimi i mjerë.
Duke qenë i internuar,jetimi nga Tirana e pa veten të braktisur nga të gjithë,askush nuk i afrohej, sepse kishin frikë njerëzit
– Ç’të lidh ty me atë, – do t’i thoshin partia dhe sigurimi. E trishtë, por ai djalë,që kishte kuptuar tani braktisjen, survejimin, përndjekjen,vendosi të mbyllej në vetvete;ai dhe Tomsoni dhe askush tjetër!
Që të mos binte në sy,ai zgjohej herët në mëngjes dhe zhdukej në pyll derisa errësohej,pastaj vinte hante dhe menjëherë në krevat,dhomën e tij. Tentova të flisja njëherë me të,po ku ta gjeja,ai tani kishte rënë ne depresion,të vish nga kryeqyteti,të lësh sportin dhe të shikohesh si delja e zezë,pasojat diheshin.
Dhe tragjedia ndodhi. Njëri-tjetrit punëtorët i thoshin me zë të ulët:-E more vesh? Tomsoni u var sot, por mua mos më zerë me gojë.
– Ç’thua, more! Oh i shkreti djalë!Po ku?-Atje në mes të pyllit,në një pishë të lartë.
– Bobo,kësaj i thonë të varet pisha në pishë,se ashtu ishte ai trupi i tij!Mjerë nëna që e ka thuaj,si do ta durojë këtë hata!
– Jo,nuk ka nënë,nuk ka njeri,se ishte rritur në jetimore katrani.
Gjynah nga Zoti!
– Kështu e mbylli jetën në më të bukurën moshë inxh.Tomsoni, jetimi Tomson, të cilit mbiemrin nuk ia mësuam dot,se nuk na la kohë, por emrin ama nuk do t’ia harrojmë kurrë. Për atë ka shkruar edhe i nderuari Zenun Fero.

PO BISHNICA SOT?

Zoti E.Ypi e mbyll shkrimin me një dialog që ai bën me Bishnicën.
-Pse rri mënjanë, Bishnicë?
Pse s’del? Pse s’shpërthen? Pse s’buçet?
-Fshihem,se më vjen turp,më vjen keq për djemtë në kurbet,tmerrohem nga nënat e vetmuara.
-Mos qaj, Bishnicë!
-Si gjithë fshatrat e Mokrës që mezi po presin të mbarojë rruga Qukës-Pllocë, ose “qilimi i Penelopës”, bën vaki dhe i prishet mendja qeverisë dhe e shtron rrugën e Bishnicës, atëhere do të kemi një Bishnicë tjetër, atë të tretën por edhe më të bukurën,pasi do t’i kthehet dhe shtohet nuri për vlerat turistike që ajo i mban”fshehur”në vite,dhe atëherë njerëzit do t’i kthehen,ndoshta edhe për të investuar e ngritur biznese në fushën e turizmit veror dhe dimëror,bletarisë,blegtorisë,kabinave apo hoteleve pranë liqeneve të Lukovës,etj. Atëherë, kush nga ne nuk do të dëshironte të shijonte mrekullinë që quhet Bishnicë. A duhet të ishte shpallur edhe Bishnica mes atyre 100 fshatrave turistike?!
– Patjetër, si i vetmi fshat përfaqësues në Mokër, kështu do të bëhej i mundur edhe shtrimi i rrugës,duke bërë që Bishnica të kthehej nga një “Bukuroshe e mënjanuar”, në një “mirazh e perri të zgjuar” për Mokrën.
Atëherë do të merrnin përgjigje edhe pyetjet dashamirëse të z.E.Ypi dhe Bishnica, jo vetëm që do të harronte të qante, por do të qeshte.
Shkurt, 2022

About Redaksia

Check Also

Kërcënimi mafioz i Ramës për Ahmetajn: Po fole…

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të flasë sërish nga arratia. Gazetari Çim Peka ka publikuar disa …

Leave a Reply