Qeveria tallet me veten, pasi i shpallën agjentë, tani thonë se janë “turistë aventurierë”

Notave triumfale për ndalimin e dy rusëve dhe një ukrainasi në uzinën e Gramshit, ia la vendin sot një qëndrim më i zbutur, gati në tërheqje i qeverisë. Ministrat e përshkruan më ftohtë ngjarjen, që ende mbart shumë të panjohura.

Skenari, sipas të cilit agjentura ruse ishte angazhuar për të nxjerrë të dhëna nga uzina e Gramshit, u përmend me rezerva nga ministrat Bledi Çuçi dhe Niko Peleshi. Të dy i lanë më shumë hapësirë teorisë tjetër, se të arrestuarit mund të ishin edhe thjesht të apasionuar pas fotografisë, ndërsa i mëshuan faktit se uzina e Gramshit ishte një objekt, ku ka mbetur veç llaç e tulla.

“Ka turistë aventurierë që e kanë si synim fotografimin e objekteve me karakter të veçantë që ishin pjesë e një industrie të luftës së ftohtë, ndaj do hetojmë deri në fund për të hetuar çdo pozicion të gjithkujt në këtë ngjarje. Deri tani nuk ka vend për spekulime”, u shpreh Çuçi.

“Nuk përbën cënim të Sigurisë Kombëtare por kemi të bëjmë me një thyerje të rregullores. Kemi ushtrim dhune ndaj dy oficerëve në detyrë. Ne kemi më shumë se 1 mijë prona jashtë planit të përhapjes, që janë llaç e tulla në fakt” tha Peleshi.

Në konferencë me gazetarët, të dy ministrat tentuan ta shfryjnë ngjarjen që prej dy ditësh kap titujt kryesorë në media. Në fakt ishte vetë kryeministri Rama, që konfirmoi i pari dyshimet për spiunazh rus të tre të arrestuarve, ndërsa shprehte krenarinë për ushtarët që ishin përballur me njërin prej tyre.

Për tre të akuzuarit rëndon zyrtarisht akuza e “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, por nga deklaratat e ministrave Çuçi dhe Peleshi u tha qartë se në Uzinën e Gramshit nuk ka asnjë sekret shtetëror.

“Objekti është i deklasifikuar, nuk përbën sekret shtetëror, ne po hetojmë qëllimin e këtyre personave”– deklaroi Çuçi duke shfajësuar të arrestuarit.

Ambasada ruse sqaroi sot se nuk ka marrë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare lidhur me ndalimin e shtetasve rusë të dyshuar për infiltrim. “Misioni diplomatik informohet për incidentin e ndodhur vetëm nga mediat”, thuhet në reagim.

Ambasada nënvizon se i ka dërguar një notë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën “për të vënë në dijeni misionin diplomatik rus, në mënyrën e përcaktuar, për identitetin e të ndaluarve, vendndodhjen e tyre aktuale, thelbin e akuzave të ngritura, veprimet e mëtejshme procesuale ndaj tyre, si edhe mundësinë e organizimit të një takimi të përfaqësuesit të Degës Konsullore të Ambasadës me shtetasit rusë të ndaluar”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Ndërkohë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pati një takim sot me Ministrin e Brendshëm të Serbisë, Aleksandër Vulin. Ky i fundit është shprehur në takim se “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nuk është bërë pjesë e histerisë anti-ruse”.

Vulin tha po ashtu se Serbia, e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, “nuk harron shekujt e vëllazërisë” me Rusinë dhe shprehu “mirënjohje të madhe” ndaj Moskës “që në mënyrë të vazhdueshme respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë”.

Ndërkaq, kryediplomati rus, Sergei Lavrov tha se shteti i tij do të vazhdojë t’i ofrojë mbështetje Serbisë për të ruajtur integritetin e saj territorial.

Dyshimet se në Gramsh u arrestuan agjentë rusë u pasuan me reagimin e menjëhershëm të opozitës, që kërkoi ashpërsimin e qëndrimit kundër Rusisë dhe ndalimin e shtetasve rusë në vendin tonë pa viza.

Kërkesa ishte artikuluar fillimisht nga presidenti i Ukrainës, Vladimir Zelenski i cili iu adresua parlamentit të Shqipërisë me një mesazh në muajin Prill.

Në fjalën e tij, Zelenski kërkoi nga Shqipëria të mos lejojë futjen e qytetarëve rusë pa viza.

“Ju nuk mund ta dini se kush mund të vijë te ju për të pushuar, mund të jetë një vrasës i Bucha-s ose xhelati i Mariupolit”, tha Zelensky në mesazhin për parlamentin shqiptar.

Dy ushtarët shqiptarë që u sulmuan me spray në uzinën e Gramshit tashmë kanë dalë nga spitali. Të arrestuar janë 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç.

Në dëshminë e tyre, ata kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.

About Redaksia2

Check Also

Vokshi: Molotovi më e pakta ndaj atyre që grisën dhe shkelën Kushtetutën

Deputetja demokrate Albana Vokshi thotë se protesta shprehu revoltën e qytetarëve, ndërsa theksoi se nga molotovët …

Leave a Reply