Parisi në top

Hetimet që zbulojnë trazirën prapa caktimit të Botërorit Katarit. Ja çfarë e lidh Sarkò dhe Platini me “Nak”, presidentin e PSG.

Kohët nga ku tribuna vip e Parc des Princes gëlonte me politikanë të etur për një photo opportunity me pronarin e Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaïfi, janë një kujtim i zbehtë i 11 viteve nga ardhja triumfale e Katarit në kryeqytetin francez. Ishte qershori i 2011 kur biznesmeni kataras dhe shumë besnik i Emirit të Dohas, Tamim bin Hamad Al-Thani, zbuloi në një klimë eksitimi të përgjithshë skuadrën më të rëndësishme parisiane, nëpërmjet Qatar Sports Investments, filial i fondit sovran të emiratit, Qatar Investment Authority. Në belle époque, në Parc des Princes shfaqej deri Anne Hidalgo, ikonë e progresizmit francez dhe kryebashkiake socialiste e kryeqytetit, me dorezat e kuqe dhe shallin blu: si ngjyrat e PSG. Ishte gjithçka një e qeshur dhe një e përqafuar me Nasser, që ishte falenderuar publikisht pse kishte “zgjedhur” Parisin si vitrinë të Katarit në Europë dhe se donte ta transformonte PSG në skuadrën më të fortë të botës. Por në një seri hetimesh të shfaqura kohët e fundit në mediat franceze ka nxjerrë në sipërfaqe sistemin e turbullt të favoreve dhe të kundërlojërave që kanë bindur Dohan ta zgjedhin shoqërinë futbollistike parisiane si ajkën e soft-power kataras dhe më në përgjithësi Francën si terrenin kryesor të investimeve dhe ambasadore të interesave të emiratit në Europë. Zbulimet e dala këtë javë në “Libération” dhe “Mediapart”, bashkë më hetimin ndoshta më të pistë të botuar ndonjëherë mbi raportet Paris – Doha, “Qatar 2022: un scandale français?”, e realizuar nga qeliza investiguese e Radio France dhe nga kanali televiziv France 2, po e vënë mjaft në siklet të gjithë klasën politike që mburrej në Tout-Paris për raportet e privilegjuara me “Nak”. Duke filluar nga Nicolas Sarkozy, ish president i Republikës dhe mburojë e ardhjes së Nasser në Paris, pse jo edhe lehtësues i shumë investimeve që i kanë mundësuar Dohas të hedhë duart mbi disa xhevahire të industrisë dhe të luksit francez.

Emri i ish kreut të shtetit figuron në të gjitha dosjet e ndezura mbi raportet e Francës dhe Katarit, në mënyrë të veçantë edhe në dosjen e “drekës së Elizeut” të famshme të 2010, në origjinën sipas magjistratëve francezë e romanit të madh kriminal frako – kataras ende në zhvillim. “Dreka e organizuar në Elize më 23 nëntor 2010 ka përbërë një pikë kthese vendimtare (…) duke favorizuar atribuimin e Kupës së Botës për Katarin”, lexohet në përfundim të një note të përgatitur nga Prokuroria Kombëtare Financiare (PNF) franceze më 26 nëntor 2019, që qeliza investiguese e Radio France ka mundur të konsultojë. Atë ditë rreth tavolinës ulen 7 njerëz: kreu i shtetit, Nicolas Sarkozy, Sekretari i Përgjithshëm i Elizeut, Claude Guéant, këshilltarja për Sportin e Sarkozy, Sophie Dion, presidenti i UEFA dhe zëvendëspresidenti i FIFA, Michel Platini, Princi Trashëgimtar i Katarit, sot në drejtimin e emiratit, Tamim bin Hamad Al-Thani, kryeministri dhe ministri i Jashtëm kataras, Hamad bin Jassim Al-Thani dhe një përkthyes. Një prej objektivave kryesorë të drekës, sipas asaj të dalë tashmë në 2020 nga disa dokumenta të firmosura nga Sophie Dion dhe të zbuluara nga “Mediapart”, ishte ai i bindjes së Platini që të votonte në favor të Katarit për organizimin e Botërorit të 2022 në kurriz të Shteteve të Bashkuara.

“Më kujtohet se në rastin e një dreke në Johannesburg, na kishte thënë se sikur ta fitonin Rusia dhe Katari (për edicionet e 2018 dhe të 2022, shënimi i redaksisë.), do të kishte qenë fundi i UEFA në termat e imazhit”, ka deklaruar Kevin Lamour, ish shefi i kabinetit të Platini. Ky i fundit ka evokuar edhe “presionet (ndaj Platini, shënimi redaksisë.) të ushtruara nga Marios Lefkaritis në favor të Katarit”. Afaristi qipriot, zëvendëspresident dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA nga 2010, merr në majin e 2011, domethënë 6 muaj pas votimit që i ka caktuar Botërorin Katarit, një çek prej 32 milion eurosh për blerjen e një trualli prej 7 hektarësh në Larnaca të Qipros nga fondi Qatar Investment Authority. Një falenderim për aktivitetet e lobingut? Është kjo që dyshojnë gjykatësit francezë, që hetojnë nga 2016 mbi big deal potencial midis Parisit e Dohas dhe më 2019 kanë hapur një hetim për korrupsion. “Për çfarë mrekullie Katari, që kishte dosjen më të keqe midis të gjithë kandidatëve, ka siguruar Kupën e Botës? Nëse jeni besimtarë dhe do të ndodhemi në rastin e gjykimit universal, do të duhet t’i bëhet kjo pyetje Zotit të mirë!”, ka thënë Sepp Blatter, president i FIFA nga 1998 në 2015, për Radio France. Hetuesve, ish drejtuesi i lartë i futbollit botëror nuk hezitoi në 2017 të fliste për “ndërhyrje politike” kur u pyet nëse dinte diçka për drekën e famshme të Elizeut të 23 nëntorit 2010. Fakt është se Platini votën e tij ia dha vërtet Katarit, ai që deri pak muaj më parë, siç u konfirmua nga ish shefi i kabinetit të tij Kevin Lamour, “e përçmonte kandidaturën” e vendit të Gjirit dhe ishte një mbështetës i zjarrtë i Botërorit 2022 në Shtetet e Bashkuara. Ish lojtari i Juventusit e ka mohuar gjithmonë se ka qenë i influencuar nga miku Sarkozy në vendimin për t’ia dhënë preferencën Dohas, edhe pse përpara hetuesve ka lënë t’i bien disa shprehje ambige.

Si ajo e shqiptuar më 18 qershor 2019, kur u vendos në gjendje ndalimi në kuadër të hetimit mbi caktimin e Kupës së Botës për Katarin. “Nicolas Sarkozy ka përfituar nga vota ime për të nxjerrë në pah kujt donte… për interesat e Francës, shpresoj”. Në 2014, në mikrofonat e France 2, Platini ka qenë edhe më i prerë: “Ndoshta Nicolas Sarkozy e dinte se do të kisha votuar për Katarin dhe kështu, ka mundësi, e ka shitur votën time për Katarin në emër të Francë për të pasur në këmbim gjëra të bukura”. Dhe është pikërisht kjo pika qendrore mbi të cilën përqëndrohen vëmendjet e magjistratëve francezë: kundërlojat eventuale e negociuara nga Sarkò në këmbim të mbështetjes së Francës ndaj kandidaturës së Katarit. Blerja e PSG për 76 milion euro (burimi France Football) nga ana e fondit sovran të Dohas do të futej në këto kundërloja, sipas asaj që ka rezultuar nga hetimi i Radio France e France 2 “Qatar 2022: un scandale français?”. Në realitet qe një shpëtim në kuptimin e vërtetë të fjalës, duke parë që fondi amerikan që posedonte PSG, Capital Colony, humbiste midis 75 dhe 100 milion eurove në vit dhe mezi priste që të shpëtonte prej tij. Ardhja e Nak e “ka shpëtuar Colony Capitale dhe u ka mundësuar katarasve ta kenë Kupën e Botës”, ka thënë prerë Luc Dayan, biznesmen dhe drejtues i vjetër sportiv në Francë.

Disa sms të rikuperuara nga hetuesit dhe të shkruar nga Sébastien Bazin, ish president i shoqërisë futbollistike dhe përgjegjës i Capital Colony për Europën, të bëjnë të mendosh se dosja PSG ishte një prej më të rëndësishmeve që mbretëronte në tavolinën e Elizeut. “Nicolas Sarkozy sapo më ka telefonuar, drekon sot me Madhërinë e Tij Tamim në Elize. I kam transmetuar mesazhet kyçe”, i shkruan Bazin një miku më 23 nëntor 2010. Të nesërmen, ia dërgon një tjetër sms: “Nicolas Sarkozy më ka ritelefonuar. Shkëlqesia e tij i ka konfirmuar se marrëveshja do të përfundojë pas 2 dhjetorit”, domethënë data e zyrtarizimit të Botërorit 2022 në Katar. Midis kundërlojave, do të ishte edhe lançimi i një kanalit sportiv kataras në Francë për të kundërshtuar grupin Canal Plus në pronësi të menaxherit breton Vincent Bolloré, atëbotë i zilosur nga Sarkozy: gjë që saktësisht ndodhi. Më 2012, hynë faktikisht në tregun audiovizual filiali francez i Al-Jazeera Sport, i ripagëzuar BeIn Sport France, që gjykon të drejtat televizive të Ligue 1 dhe sidomos të Champions League, torta më e shijshme. Për Dohan rikthimi në terma ekonomikë dhe të imazhit është i mrekullueshëm, por nuk ka vetëm sport në qendër të “paktit sekret” midis Francës dhe Katarit. Po t’i qëndrosh një note të kuruar nga celula diplomatike e Elizeut në vëmendje të Sarkozy, që Radio France dhe France 2 kanë mundur ta shqyrtojnë, kreu i atëhershëm i shtetit francez kishte rënë dakord me dinjitarët kataras edhe për shitjen e një numri të caktuar Rafale, gjuajtësit shumërolësh të Dassault Aviation, krenari e industrisë hekzagonale.

Në atë kohë Doha nuk kishte realisht nevojë për avionë të rinj luftarakë, duke qenë se ishte në posedim të një flote të mirë Mirage amerikanë. Blerja e 24 gjuajtësve Rafale, që do të finalizohet në 2015 gjatë mandatit të socialistit François Hollande, qe më shumë një gjest diplomatik nga ana e Katarit sesa një nevojë ushtarake: një mënyrë për t’u siguruar se, “kur do të kenë probleme, francezët do t’u shkojnë në ndihmë”, sipas Alain Chouet, ish oficerit të DGSE, inteligjencës së jashtme franceze. Për Bérengère Bonte, autore e librit “La République française du Qatar” (Fayard), “shitja e atyre Rafale, për Nicolas Sarkozy, ishte e rëndësishme. Rafale është krenaria, biçaku zviceran, xhevahiri i industrisë mbrojtëse franceze dhe natyrisht nënkupton shumë vende pune, është një instrument influence shumë i fortë. Në atë moment, Franca nuk arrinte ta shiste atë avion”. Një shkëmbim kortezishë diplomatike de investimesh reciproke, që do të intensifikohen duke filluar nga 8 dhjetori 2010, domethënë 6 ditë pas caktimit të Botërorit për Katarin, kur një notë e delegacionit ndërministror për inteligjencën ekonomike e drejtuar për Claude Guéant, Richelieu i Sarkozy, e vë theksin mbi “mundësitë e kontratave të lidhura me Kupën e Botës në Katar dhe në projektet infrastrukturore”. Më 25 dhjetor të të njëjtit vit, një tjetër notë e celulës diplomatike të Elizeut tregon se “Claude Guéant kërkon krijimin e një task force”, me objektivin e sigurimit të numrit më të lartë të mundshëm të kontratave për kompanitë franceze: menjëherë krijohet një grup ndërministror. “Franca i do ato para dhe lehtësi fiskalisht për investimet për investimet katarase”, ka shpjeguar Bérengère Bonte për Radio France, përpara se të shtonte: “Në atë kohë katarasit lançojnë një aksion të madh soft power. Marrin kuota në kompani të shumta të CAC 40: Veolia, Lagardère, Vivendi, Orange”.

Pa harruar pjesëmarrjet e luksit, LVMH, Le Tanneur dhe Balmain; në magazinat e mëdha, Le Printemps; në sektorin e energjisë, TotalEnergies; në aeronautikë, Airbus, dhe në hoteleri, Carlton, Martinez e Majestic, domethënë hotelet më të famshme të Kanës. Pas banketit franko – kataras të Elizeut të nëntorit 2010, “Katari bëhet një bashkëbisedues i domosdoshëm”, ka dëshmuar ish oficeri i shërbimeve Alain Chouet, që në kohën e Sarkozy ka kryer misione të ndryshme për llogari të République. “Këshilltarët e Emirit punonin shumë në Paris dhe, për më tepër, premtonin të blenin “karamelet” tona të shijshme për disa miliarda dollarë”, ka shtuar Chouet. Gjatë epokës Sarkò soft power kataras ravijëzohet edhe në universitet: me një partneritet midis Sorbonës dhe një OJF katarase, ICSS (Institut Center for Security for Sport). Problemi: në maksirrjedhjen e lajmeve Football Leaks, më 2015, është zbuluar se Doha e përdorte këtë OJF “lufte kundër korrupsionit” për të spiunuar rivalët e saj politikë. E përditshmja “Libération” pak javë më parë ka zbuluar më të keqen. Domethënë se Nasser al-Khelaïfi ka futur në burg në Doha për 10 muaj një biznesmen franko – algjerian, Tayeb B., “fajtor” se posedonte prova konkrete të korrupsionit që ka çuar në caktimin e Botërorit të ardhshëm të futbollit.

Për momentin, Nak opton për strategjinë e heshtjes, siç ka bërë gjithmonë gjatë krizave të mëdha të kaluara nga PSG. Edhe në stadium është bërë më diskret, ndoshta sepse kurrë sa tani, pas hetimeve që e kanë përfshirë personalisht, ndjehet në pozicion të brishtë, i braktisur nga kush deri pak muaj më parë i qëndronte ende në tapetet e kuq në nderim të tij. Anne Hidalgo ishte njëra prej tyre, por sot, përpara presioneve të partisë dhe të OJF që e alarmojnë mbi situatën e të drejtave të njeriut dhe mbi kushtet e punës në Katar, ka vendosur të ndalojë në Paris maksiekranet për Kupën e Botës: si aksion bojkoti. Për Hidalgo është “një ekuilibër i komplikuar”, komenton “Parisien”, duke parë se PSG, në terma imazhi dhe madhështie, është një forcë tërheqëse për kryeqytetin francez. Edhe presidenti i Republikës Emmanuel Macron pritet në pragun e aktivistëve e të drejtave të njeriut, që i kërkojnë me forcë një pozicionim kundër atij që e quajnë “Mondial de la honte”, Botërorit të turpit. Vështirë se Macron do ta ngrejë zërin, në dritën e lidhjeve të thella ekonomike dhe gjeopolitike midis të dy vendeve. Për pjesën tjetër, favori i fundit ndaj soft powr kataras e ka bërë pikërisht ai: duke ndërhyrë personalisht për ta bindur Kylian Mbappé, yllit të kombëtares së futbollit franceze, të refuzojë avancimet madridase e arqiarmikut Florentino Perez, promotorit të madh të Superligës jo të pëlqyer nga Al-Khelaïfi, dhe të qëndrojë tek Paris Saint-Germain.

(nga Il Foglio)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

VOA: Dhjetëra Monumente në “rrezik” në Shqipëri

18 Prilli shënon Ditën Botërore të Monumenteve, shumë prej të cilave janë në gjendje kritike …

Leave a Reply