NJË DITË NË BERAT ME VEXHI BUHARANË

Shkrimtarë nga Tirana, pelegrinazh për të përkujtuar poetin dhe përkthyesin e mirënjohur

Nga Rexhep POLISI

E shtuna e 29 tetorit ishte një ditë e veçantë për Beratin. Dhjetëra shkrimtarë dhe poetë kishin ardhur nga Tirana në qytetatin 2400 vjeçar për të përkujtuar poetin, studiuesin, gjuhëtarin, dijetarin dhe përkthyesin e mirënjohur, Vexhi Buharaja.
Ndalesa e parë ishte tek varri i poetit ku në prani të vajzës, djalit dhe familjarëve u vendos një buqetë me lule. Një varr i thjeshtë, por që mbart madhështinë e gjeniut Buharaja. Portreti i Buharasë në pllakën e kreut të varrit dhe një libër i hapur me vargjet “Përballë Tomorit” përjetësojnë poetin në qytetin e tij të dashur, Beratin.
Poeti Rexhep Shahu, drejtues i shtëpisë botuese “Klubi i Poezisë” që organizoi këtë aktivitet përkujtues me mbështetjen e pakursyer të deputetit humanist, Flamur Hoxha, mbajti fjalën përshëndetëse. Shahu tha se, kolosi i kulturës kombëtare Vexhi Buharaja u përbuz nga regjimi komunist, por ai mbeti në zemrat e njerëzve të Beratit dhe gjithë Shqipërisë që e donion dhe e respektonin.
“Regjimi komunist e përbuzi, linçoi, mënjanoi dhe e caktoi të bënte punë të rëndomta kolosin e kulturës kombëtare Vexhi Buharaja, atë që kishte dije e fuqi për punë të mëdha për Shqipërinë. Ai regjim për 8 vjet e la kolosin e letërisë të presë bileta për klientët në berberanën e qytetit”, u shpreh Rexhep Shahu.
Ndërsa familjarët sollën në kujtesë detaje nga largimi i tij nga kjo jetë. Vajza e poetit falenderoi drejtuesin e këtij pelegrinazhi, Rexhep Shahu si dhe shkrimtarët dhe poetët për këtë nderim që i bënin babait të saj. “Deri më sot askush nuk ishte kujtuar për Vexhi Buharanë. E lanë në harresë, por kjo ditë do të mbetet e veçantë jo vetëm për ne familjarët, por për të gjithë Beratin”, tha e emocionuar vajza e poetit.
***
Qëndresa e radhës ishte tek lulishtja e famshme në lagjen “Murat Çelebiu”, ku Buharaja çdo pasdite ulej në stolin e tij, të cilin nuk ia zinin qytetarët në shenjë nderimi për të. Poeti Yzedin Hima na tha se, këtu Buharaja kaloi një pjesë të kohës së tij të lirë, në prani edhe të pak miqve të tjerë, duke u ndalur në stolin e tij, të cilin, sipas asaj që tregohet, nuk e zinte askush, edhe kur vetë ai nuk ishte i pranishëm. Buharaja ishte një mik i të gjithëve!
Namir Lapardhaja u shpreh se, Vexhiu endej në qytet mes mitit dhe mjegullës, i qetë në dukje dhe i vetmuar. Përherë i rrethuar nga të njëjtët njerëz. Ata kujdeseshin që stolin e tij të mos e zinte askush. “Është vendi i zotit Vexhi!”, thoshin…
Vendi i berberanës, ku Buharaja preu bileta për vite me radhë, ishte një tjetër ndalesë e shkrimtarëve, për të rijetësuar hapat dhe intinerarin e dikurshëm të përkthyesit të “Shahnamesë” dhe të “Gjylistanit dhe Bostanit”.
***
Aktiviteti u përqëndrua më pas në bibliotekën që mban emrin e Vexhi Buharasë në qytetin e Beratit. Studiuesi dhe poeti Yzedin Hima, i cili është autor i librit “Vexhi Buharaja, pa mite e mjegull”, solli në vëmendjen e të pranishmëve rëndësinë që ka figura e Buharasë në kulturën shqiptare, e cila, sipas tij, është ende e panjohur dhe e pavlerësuar plotësisht.
“Vexhi Buharaja ka qenë një personalitet i gjithanshëm. Ai ishte poet, studiues, gjuhëtar, orientalis, përkthyes, publicist, njohës i gjuhëve të lindjes dhe të perëndimi, njeri me kulturë të gjerë dhe i admiruar prej të gjithë atyre që e njohën. Jeta e Vexhiut është endur mes mohimit dhe harrimit.
Ardhja në pushtet e regjimit komunist e gjeti Buharanë, pa miqtë e tij të dijes, penës dhe kulturës, të cilët i mori lufta. Ky qe fat i keq për të. Edhe në krijimet e tjera letrare, veç poezisë, Buharaja i ri në esetë e tij e përmend fjalën liri së pari si një ide, e cila duhet të rrënjoset te njerëzit.
Vexhi Buharaja shtë përkthyes i shumë veprave letrare dhe poetike. Ai ka sjell në shqip veprat shkencore të Hoxhë Hasan Tahsinit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e Firdeusit, “Ëndërrimet” e Naim Frashërit, “Gjylistani dhe Bostani” të Saadi Shirazit etj.
Emri i tij renditet si një ndër përkthyesit e mëdhenj të shqipes, krahas Gjon Shllakut, Petro Zhejit, Fan Nolit”, u shpreh ndër të tjera poeti Yzedin Hima.
Namir Lapardhaja tha gjatë fjalës së tij se, Vexhi Buharaja ishte një personalitet i gjithanshëm. “Ai ishte njeri me kulturë të gjerë dhe i admirueshëm prej atyre që e njohën nga afër. Jeta e tij endet mes mohimit dhe harrimit. I dënuar politikisht në 1947, në vitin 1965 pranohet në Institutin e Historisë në Tiranë. Me profesionalizëm dhe skrupulozitet, mbledh dhe përkthen në shqip mbishkrimet turko-osmano-arabe në vendin tonë. Gjatë kësaj kohe, përkthen shumë materiale të periudhës së Rilindjes Kombëtare, siç janë aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Është përkthyes i shumë veprave letrare dhe poetike”, tha Lapardhaja.
Ish-i burgosuri politik, Bedri Blloshmi autor i 12 librave për ferrin komunist në burgjet e Spaçit, Qafë Barit dhe Burrelit tha se, Vexhi Buharaja përveçse ishte një shkrimtar dhe përkthyes i talentuar ishte edhe një nacionalist me ide perëndimore. “Vexhi Buharaja në vitin 1947 u arrestua dhe vuajtjen e dënimit e bëri në Kënetën Maliqit. Aty u takua me njerëzit e letrave Arshi Pipa dhe Mitrush Kuteli ku vuajtë tmerrin komunist. Buharaja u lanë në harresë nga regjimi komunist. Kjo veprimtari kushtuar Buharasë është për t’u përshëndetur pasi emri i tij ishte lënë përsëri në harresë”, tha Blloshmi.
Poeti dhe gazetari Jaho Margjeka foli për krijimtarinë e Vexhi Buharasë. Ai tha se, Vexhi Buharaja ishte një personalitet i gjithanshëm. Ai ishte njeri me kulturë të gjerë dhe i admirueshëm prej atyre që e njohën nga afër. Buharaja ishte një poet i klasit të lartë, por njëkohësisht renditet si një ndër përkthyesit e mëdhenj të shqipes.
Shkrimtarë dhe studiues të tjerë përshëndetën aktivitetin, duke sjellë përjetime dhe detaje për veprën dhe punën e Vexhi Buharasë.
Në këtë aktivitet u bë edhe promovimi i numrit 39 të Revistës Letrare të Tiranës “Illz”, e cila në këtë numër, veç nobelistes së këtij viti në letërsi, Annie Ernaux, i ishte dedikuar në një rubrikë e veçantë punës studimore, përkthimeve dhe krijimtarisë së Vexhi Buharasë.
***
Ndonëse është fund tetori, Berati shndrit nën rrezet e diellit. Dita ka nisur të thyhet, por dielli ende vijon të ngrohë. Qyteti këtë ditë duket se ndjen më së teëprmi ngrohtësinë dhe shkëlqimin e Vexhi Buharasë. Njerëzit në rrugë na përshëndesin me buzëqeshje. Këto buzëqeshje na vijnë si mirënjohje për kujtesën e poetit…
Lemë pas qytetin magjik me shpresën se ky i sotmi do të jetë sipari i aktiviteteve për Vexhi Buharanë. Brezi i ri ka pak njohuri për këtë figurë të ndritur, ashtu si edhe për mjaft figura të tjera të letërsisë dhe artit që janë lënë në harresë. Ndaj aktivitete të tilla kanë një vlerë të shtuar dhe falenderimet i shkojnë edhe një herë organizatorëve Rexhep Shahu e Izet Duraku si dhe deputetit humanist, Flamur Hoxha.

Kush ishte Vexhi Buharaja

Vexhi Buharaja ishte një personalitet i gjithanshëm. Ai ishte njeri me kulturë të gjerë dhe i admirueshëm prej atyre që e njohën nga afër. Jeta e tij endet mes mohimit dhe harrimit. I dënuar politikisht në 1947, në vitin 1965 pranohet në Institutin e Historisë në Tiranë. Me profesionalizëm dhe skrupulozitet, mbledh dhe përkthen në shqip mbishkrimet turko-osmano-arabe në vendin tonë. Gjatë kësaj kohe, përkthen shumë materiale të periudhës së Rilindjes Kombëtare, siç janë aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Është përkthyes i shumë veprave letrare dhe poetike. Sjell në shqip veprat shkencore të Hoxhë Hasan Tahsinit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e Firdeusit, “Ëndërrimet” e Naim Frashërit, “Gjylistani dhe Bostani” të Saadi Shirazit etj.
Emri i tij renditet si një ndër përkthyesit e mëdhenj të shqipes, krahas Gjon Shllakut, Petro Zhejit, Fan Nolit. Në vitin ’75 hapen “defterët e vjetër”. Dëbohet nga Instituti i Historisë. Sipas disa të dhënave, një pjesë e punëve i përvetësohen nga njerëz të partisë në këtë institucion. Përkthime e studime të tij botohen në revista shkencore si punë të tyre. Kthehet në qytetin e lindjes.
Për ata që e njohin, shoqërohet nga një aureolë drite. Beratasit e vjetër e respektojnë dhe e përshëndesin me nderime. Për të tjerët, është një armik më shumë, i dënuar dikur dhe i lënë rrugëve. Paraqitet në Komitetin Ekzekutiv, ku kërkon punë. Kryetari e pret me respekt. I thotë të vijë një ditë më pas, sepse do të gjendet një punë për të. Të nesërmen i komunikohet: do të presë bileta në berberanën në qendër të qytetit. Pranon. E di se me injorantët nuk mund të bëhet shaka.
Ka kaluar një herë në tehun e shpatës vite më parë dhe ia ka hedhur paq. Vetëm një kohë monstuoze, ku mbizotëron injoranca, mund të caktojë Vexhi Buharanë të presë bileta në berberanë. Pjesën e mbetur të viteve aktive i kalon aty. Vijon individualisht studimet dhe përkthimet. Miqtë e mbetur në Institut, i sjellin punë dhe ai i kryen me profesionalizëm. Është periudhë e heshtjes dhe vetmisë së madhe. Shoqërohet me shumë pak njerëz. Del në pension dhe nga ajo kohë nuk e kalon më Urën e Goricës.
Vendtakimi i tij i përditshëm me një grup pleqsh, më të mëdhenj në moshë, është lulishtja e qytetit në lagjen “Dëshmorët e Kombit”. Ai ulej mes bashkëbiseduesve dhe niste e tregonte në një gjuhë mjaft të thjeshtë. Të gjithë, ndonëse më të mëdhenj se ai, e thërrisnin “zoti Vexhi”. Mjeshtri vijonte ta endte rrëfimin sipas modelit të përrallave persiane. Ata e dëgjonin me respekt, gojëhapur.
Një Zot e di se sa i vetmuar është ndjerë Buharaja gjatë asaj kohe në qytet. Si pasojë e një sëmundje të rëndë, ndërron jetë më 5 korrik 1987, në moshën 67-vjeçare. Pas viteve ’90, si për çdo emër të madh të larguar nga kjo jetë, rreth tij qarkullojnë legjenda. Të gjithë kërkojnë të marrin nga lavdia e tij, duke treguar se si e njihnin dhe se si shoqëroheshin me të. Por e vërteta e asaj kohe të marrë është ndryshe. Vexhiu endej në qytet mes mitit dhe mjegullës, i qetë në dukje dhe i vetmuar. Përherë i rrethuar nga të njëjtët njerëz./N.Lapardhaja

About Redaksia

Check Also

Rimendimi europianolindor i Macron

Lufta në Ukrainë dhe efektet e saj po e detyrojnë presidentin e sapozgjedhur francez, Emmanuel …

Leave a Reply

Your email address will not be published.