Biseda e fundit me Bedri Myftarin

Nga Rexhep POLISI

Më 7 nëntor u mbushën 9 vjet nga ndarja nga jeta e shkrimtarit të njohur dhe të dashur për lexuesit, Bedri Myftari. Vdekjet gjithmonë përjetohen me dhembje e pikëllim të madh, por pikëllimi për ikjen e Bedri Myftari të rëndon më shumë.

Ishte një pikëllim sa i dhembshëm po aq edhe i rëndë. Përveçse një shkrimtar i shquar, Bedriu ishte njeri fisnik me shpirt të bukur, rebel dhe i dlirë, bujar dhe zemërbardhë…

Të gjitha këto virtyte ishin harmonizuar tek ai njeri sa shpesh mirësia e tij kthehej në dhembje për shokun, mikun dhe cilindo që ka ndenjur një hop me të në tavolinën ku rrufiste kafen çdo mëngjes tek Hotel “Tirana Internacional”, ose siç njihet me emrin 15 katëshi. Bedriun trupvogël dhe me një zemër të madhe, të qeshur me sytë që i shkëlqenin gjithmonë, kurrë nuk e shihje vetëm në tavolinë. Në tavolinën e tij gjeje çdo ditë plot njerëz, të cilët e dëgjonin me vëmendje dhe ai shkëmbente batuta me ta.

Kështu e gjeta edhe atë mëngjes, një ditë para se të jepte shpirt. Sa u futa në lokal, ma bëri me dorë që të shkoja tek ai. Në fakt, për tek ai isha nisur se kisha ditë pa e takuar, por ku ta dija unë se ky do të ishte takimi i fundit me mikun tim, njeriun e mirë Bedri Myftari?!

– “Kam shkruajtur disa poezi këto kohët e fundit”, më tha. – M’i ka hedhur mbesa në kompjuter, por do t’i sjell që t’ia nisësh me email Mujos, që t’i botojë tek “Nacional”. Patjetër, i thashë, m’i sill nesër ose kur të kesh kohë dhe ia dërgoj unë Mujos. I ndritën edhe më shumë sytë nga gëzimi. Gjithmonë fytyra e tij merrte një shprehje tjetër, kur i botoheshin krijimet e tij në gazeta. Kishte shumë dëshirë t’i publikonte krijimet e tij, dhe në fakt sa herë që botonte, poezitë dhe tregimet e tij ngjallnin interes tek lexuesi.

Mbesa ishte pika e dobët e tij. “Si shpjegohet më tha, mbesa ime ka mbaruar shkollën e lartë për gjermanisht me të gjitha notat 10-ta dhe është pa punë? Kanë marrë në Fakultet ata që e kanë mesataren 8 dhe nuk marrin mbesën time, pse të ndodhë kështu”?, m’u drejtua me pikëllim.

– Mos u mërzit Bedri, i thashë se do të fillojë një punë se i takon.

– “Nuk kam shpresë me këta që janë në pushtet, më tha. Sepse e di që e kanë me mua, se kam qenë i burgosur politik”.

Nuk dija çfarë t’i thoja dhe ndryshova bisedë.

Pastaj më tha; “po mora këstin e dytë të lekëve të burgut, do të mundohem të iki në Çamëri, kam shumë mall të shoh edhe një herë tokën ku linda dhe më dëbuan që fëmijë 6 vjeç”.

Dolëm nga lokali dhe më përcolli një copë rrugë deri afër punës time. A thua po e ndjente se ky do të ishte takimi i fundit?!

U ndamë për t’u takuar të nesërmen, sepse do të më sillte poezitë e reja për t’ia dërguar për botim në gazetën Nacional. “Dërgoja Mujos”, më tha.

Teksa largohej, unë ktheva edhe një herë kokën pas dhe pashë tek largohej ai njeri trupvogël e me flokë të bardha dhe trupi i zvogëlohej edhe më shumë, ndërsa nxitonte në udhën pa kthim.

Të nesërmen shkova sërish në lokal tek 15 katëshi, por Bedriu nuk ishte aty si përherë. Në tavolinën e tij ishte vendosur filxhani me kafenë që ai pinte çdo mëngjes, një tufë me lule shumëngjyrëshe, një monedhë për bakshish për kamarierin, një fletë e badhë dhe një stilolaps. Kështu ishte përditë tavolina e tij, por e mbushur plot me njerëz. Sapo mbetej vetëm në tavolinë, Bedriu niste e shkruante, ndaj dhe fleta e bardhë dhe stilolapsi ishin aty në tavolinë, a thua se po prisnin të zotin që të viheshin në përdorim…

Poezitë e tij u botuan në gazetën letrare “Nacional”, por Bedriu nuk arriti t’i shikojë në faqet e kësaj gazete që kishte përzemër. Ai mbylli sytë një herë e përgjithmonë!

***

Bedri Myftari është nga ata shkrimtarë që vuajti vite të tëra burgu në regjimin komunist. Edhe pse ai kishte botuar dy libra me tregime gjatë regjimit komunist, iu hoq e drejta e botimit dhe pas viteve ’90, ai mundi të rifillojë të botojë veprat e tij të spikatura. Edhe pse kaloi disa vite burg në ferrin komunist, Bedriu nuk ishte hakmarrës, por një njeri me zemër të madhe. I dashur me njerëzit dhe përkushtuar në letërsi. Ndarja e tij nga jeta ishte një humbje e madhe për familjen, të afërmit miqtë dhe shokët, por edhe për letërsinë shqiptare.

Jetëshkrim

Bedri Myftari lindi në fshatin Sklav të Filatit të Çamërisë më 21 dhjetor të vitit 1938. Në moshën 5-6 vjeçare, me gjithë familjen, u detyrua ta lerë vendlindjen e vet, Çamërinë, i detyruar nga holokausi i monarko-fashistëve grekë dhe erdhën e u vendosën në Shqipëri. Shkollën shtatëvjeçare e kreu në Fier, të mesmen, një teknikum financiar, në Tiranë, po ashtu edhe gjimnazin në Tiranë.

Në fillim të viteve ’60 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Rinisë”.

Ka filluar të shkruajë që në moshë fare të re. Është pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA) në vitin 1966. Në këtë kohë, kishte botuar vëllimet me tregime “Fluturzat e borës” dhe “Mbrëmjet e qytetit tim”, me të cilat ka marrë çmim të dytë dhe të tretë në konkurset kombëtare.

Gjatë kësaj kohe një grup të rinjsh: Bedri Myftari, Suzana Selenica, Bilal Xhaferri, Namik Mane, Zyhdi Morava, Faik Ballanca, Roland Gjoza, Kostandin Dhamo, Sadri Ahmeti, Ahmet Golemi, etj., nisën të shkruajnë me dorë të lirë kundër realizmit socialist. Ky grup u zbulua nga organet e Sigurimit të Shtetit dhe u quajt “grupi i të rinjve kundër vijës së partisë në art dhe letërsi” dhe shumica e anëtarëve, me kryetar grupi Bedri Myftarin, u dënuan për agjitacion e propagandë kundër vijës së partisë në art dhe letërsi. Të gjithëve iu hoq e drejta e botimit për 20 vjet.

Pas shembjes së diktaturës komuniste, Bedriu punoi si gazetar në gazetën “Kosova”, kryeredaktor i gazetës “Tribuna Demokratike”, përgjegjës redaktor në gazetën “Emigranti shqiptar” që dilte në Europë, kryredaktor i gazetës “Bota shqiptare” dhe “Çamëria”. Ka bashkëpunuar me gazetën “Drita” dhe revistën “Krahu i shqiponjës”, organ i OJQ Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”, ku botonte publicistikë dhe krijimet e veta letrare.

Disa nga veprat e botuara
“Fluturzat e borës”, tregime, 1967
“Mbrëmjet e qytetit tim”, tregime, 1969
“Kronikat e vdekjes”, roman, 1994
“Rojtari i varrezës”, roman, 1995
“Ti je Eva”, poezi, 1996
“Dashuria e parë”, tregime, 1997
“Pranverë që s’kthehet më”, poezi, 1999
“Bardh e zi”, publicistikë, 2000
“Dashuri fatale”, roman, 2000
“Përralla”, Tiranë, 2001
“Vajza e rojtarit të pyllit”, përralla, 2003
“Zonja e Ambasadorit”, novela, 2006
“Simfoni e erërave”, poezi, 2005
“Vampiri”, roman, 2006
“Pas Kastadivës”, roman, 2007
“E parathëna”, roman, 2008
“Eja në takim”, poezi, 2009

About Redaksia

Check Also

Mesazhi prekës i vajzës së Vilson Blloshimit në 47-vjetorin e ekzekutimit të poetëve

Eni Blloshmi Përkujtojmë VILSONIN dhe GENCIN. Të dashur miq, si sot, 47 vjet më parë, …

Leave a Reply