Dëshmia: Si na mashtroi Drejtoresha e Mjedisit e Veliajt duke na marrë 160 mijë euro

Janë zbardhur disa prej mashtrimeve të Viola Sterjos, punonjëse në administratën publike, e cila ra në pranga të policisë pasi u premtonte qytetarëve grante nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në këmbim të ryshfeteve mijëra euro.

Në datën 12 dhjetor 2022 shtetasi Thanas Sulo ka bërë kallëzim para oficerit të policisë gjyqësore duke deklaruar se në mars të vitit 2020, përmes një të njohuri të tij që quhet Genti, i cili ka një lokal afër me pikën e tij të karburantit, është njohur me një shtetase të quajtur Viola Sterjo, me origjinë nga Pogradeci, e cila në atë kohë punonte tek e-Albania në Tiranë, raporton Top Channel.

Kur e ka njohur këtë shtetase ajo i kishte premtuar Gentit që ai do përfitonte një grant me vlerë 3.5 milion euro për të bërë një hotel në Voskopojë. Nga Genti denoncuesi ka mësuar se ai i kishte dhënë Sterjos në dorë 160 mijë dollarë.

Në vijim, Thanas Sulo deklaron se donte që në tokën e karburantit të tij të bënte një hotel dhe i ka kërkuar Gentit që ta prezantonte me Violën.

Pasi e ka takuar Viola Sterjon i ka treguar që donte të ndërtonte një hotel në tokën e karburantit. Pas bisedave paraprake Viola i ka kërkuar shuma lekësh duke i premtuar që ajo do të ndërhynte që t’i jepnin grantin tek AZHBR-ja.

Sulo i ka dhënë Viola Sterjos 57 mijë euro dhe 1. 000.000 lekë. Sulo ka deklaruar se shumat e parave ia ka dhënë Viola Sterjos në Korçë dhe Tiranë. Sipas kallëzuesit, pasi i ka dhënë lekët Viola Sterjos ka qenë në pritje të fitimit të grantit, të cilin ajo ia kishte premtuar se do t’i jepej deri në tetor të vitit 2020.

Por pasi kaloi nëntori dhe dhjetori, në kushtet kur granti nuk u përfitua, kallëzuesi sqaron se i ka kërkuar Viola Sterjos t’i kthejë shumën e lekëve, pasi dyshonte se ajo po e mashtronte.

Këtë dyshim e përforconte edhe fakti që shoku i tij Genti,i cili i kishte dhënë Violës 160 mijë dollarë, nuk e kishte përfituar grantin dhe Viola nuk ia kishte kthyer ende shumën e lekëve.

Ndërkohë, që nga fillimi i 2021 dhe deri më sot Sulo ia ka kërkuar disa herë leket Viola Sterjos, por ajo i thoshte jo sot, jo nesër.

Pas kallëzimit prokuroria ka pyetur edhe bashkëshorten e Sulos e cila ka deklaruar se ata kanë në pronësi një pikë shitje të cilën e kanë lëshuar me qira dhe në po këtë vend kanë në pronësi një sipërfaqe toke prej 3.700 metër katrorë.

Ajo ka deklaruar se pas takimeve me Viola Sterjon ajo u ka premtuar qe ata do të ishin fitues të grantit, i cili do të rritej nga 2.2 milionë euro në 4.5 milion euro. Pasi i kanë dhënë Vjola Sterjos në dorë 57 mijë euro, i kanë bërë transferta me bankë edhe shuma të tjera parash, që Sterjo i kërkonte për të plotësuar dokumentacionin e grantit.

Prokuroria e Korçës ka pyetur si person që tregon rrethanat e hetimit shtetasin Olgert Kafazi, i cili ka deklaruar se para 5 vitesh në zonën e Voskopojës ka blerë një sipërfaqe toke së bashku me dy persona të tjerë, për të ndërtuar një resort turistik.

Në kohën që Kafazi punonte në banesën e një shtetasi me emrin Gjergji, ky i fundit i ka folur për mbesën e tij Viola Sterjo. Ai ka shkuar me Gjergjin në Tiranë dhe kanë takuar Violën.

Nga biseda me Violën, ka mësuar se ajo kishte mundësi përmes njerëzve të saj që t’i nxirrte atij një grant nga shteti për ndërtimin e resortit në Voskopojë, ku vlera e resortit do të ishte 2 milion euro. Kafazi i ka thënë Violës se projektin për ndërtimin e resortit e kishte gati.

Kafazi ka deklaruar para oficerit të policisë gjyqësore që i ka dhënë Viola Sterjos 90 mijë euro, shumë të cilën e kishte përfituar nga ortakët e tij.

Fillimisht i ka dhënë 15 mijë euro në dorë në Tiranë dhe disa herë shuma të tjera lekësh ia ka dërguar me bankë. Dy herë ka dërguar lekët nga bankat në numrin e llogarisë të ekonomistit të saj.

Në fillim të vitit 2022 ai është informuar se Viola Sterjo nuk kishte bërë asnjë aplikim që ai të përfitonte grantin dhe kjo e ka bërë të dyshonte se ajo e kishte mashtruar. E ka takuar Violën në prezencë të dy vëllezërve të saj dhe ajo i ka kthyer 20 mijë dollarë. Ndërsa me kontratë noteriale lidhur mes tij dhe Violës, kjo e fundit ka deklaruar se i njeh detyrimin prej 90 mijë euro dhe nëse nuk ia kthente brenda 6 muajve ajo i linte si garanci banesën e vjehrrit të saj.

Kujtojmë se Viola Sterjo u ndalua me vendim gjykate dhe u la në masën arrest në burg për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda. Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit Viola Sterjo dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore.

Prokuroria e Korçës nisi hetimin për rastin pas kallëzimeve të qytetarëve që ishin mashtruar nga Sterjo.

About Redaksia

Check Also

Durimi ka një kufi, le të lëshojmë përpara zemërimin e ligjshëm për shpëtimin e Tiranës!

Lideri i opozitës, Sali Berisha, iu drejtua qytetarëve për të lëshuar përpara atë që e …

Leave a Reply