Në Bruksel, ministri i Jashtëm grek Niko Dendias, me të mbërritur në mbledhjen e ministrave të Jashtëm evropianë me homologët nga rajoni ynë ka përmendur edhe çështjen e kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.
Dendias tha se çështjen e arrestimit të Belerit 24 orë para ditës së votimit do ta diskutonte edhe me homologët evropianë në Këshillin e Punëve të Jashtme.
“Pas mbledhjes kam ndërmend të takohem me homologen time shqiptare. Mendoj se do të jetë një bisedë shumë interesante”, tha Nikos Dendias.
Situata në rajonin e Ballkanit perëndimor do te diskutohet sot në takimin e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së ne Bruksel.
Ministrave të shteteve anëtare do t’u bashkohen edhe krerët e diplomacive nga 6 vendet e rajonit.
Sipas njoftimeve nga Bashkimi Evropian temat kryesore në rend dite janë procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, situata në Bosnje e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi Evropian pritet të përsërisë edhe një herë përkushtimin për të vijuar ndihmën për rajonin, por edhe të kërkojë nga këto vende të përmbushin angazhimet e marra për të zbatuar reformat.
Ministri i Jashtëm i Suedisë Tobias Billstrom, vendi i së cilit ka kryesimin e radhës së bllokut, tha në prag të takimit se “vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në BE, por se ata do të vazhdojmë të kërkojnë prej tyre përshtatje me politikën e jashtme të Unionit“.