Pedagogu Lush Susaj reagoi lidhur me 20 masat e sigurisë të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme për abuzime me tendera në Universitetin Bujqësor të Kamzës, ku u shpreh se, prej 25 vitesh që ai është pedagog, gjendja në sistemin universitar dhe arsimor kurrë nuk ka qenë më e ligë, më e dobët dhe kjo nga korrupsioni dhe nepotizmi.
Ai tha në një deklaratë për Euronews Albania se ndonëse nuk është në dijeni se për çfarë tenderash bëhet fjalë në dosjen e SPAK, çdo gjë në universitet është në dosje fiktive, pasi sipas tij në universitet mungojnë edhe mjetet më elementare, ndonëse në letra shkruhet se ato janë.
Lush Susaj:
“Unë nuk e di se kush është thirrur, nuk e di kujt i janë dhënë masat, por 20 masa janë shumë. Unë kam dy gjëra, se jam kryetari i sindikatës së pavarur të punonjësve të universitetit dhe më prek goditja e reputacionit e universitetit. Ata që kanë cenuar këtë universitet nuk kanë asgjë të përbashkët me këtë universitet. Unë di që gjendja në sistemin universitar dhe arsimor kurrë nuk ka qenë më e ligë, më e dobët dhe kjo nga korrupsioni dhe nepotizmi.
Unë kam 25 vite pedagog. Unë nuk e di për çfarë tenderash bëhet fjalë, ama di që këtu gjithçka ekziston në dosje fiktive, ndërsa kur vjen puna, laboratorët janë bosh, bazat prodhuese janë bosh, s’kemi kondicionerë në zyra. Një karrige kam që prej 25 vitesh, është e grisur e më gris rrobat. Një printer nuk kemi, letra nuk kemi. Në universitete ka marr fund gjithçka. Studentët nëpër praktika nuk dalin. Ku janë lekët? SPAK ka vepruar dhe inkurajoj drejtësinë e qoftë i nderuar çdo institut që ndërhyn, ama unë lus Zotin që çdokush të gjykohet vetëm në të drejtën e ligjit”, tha pedagogu.